Nga Dr. Hasan Belll
Një nga reformat e viteve 20-të ishte caktimi i festave zyrtare dhe i ditës së pushimit. Në artikullin “Edhe Shqipëria e caktoi si ditë pushimi të dielën”, Shekulli i ri, nr.111, 6 nëntor 1928, f.4, shkruhet se në mbledhjen e Këshillit të Ministrave të datës 5 nëntor ishte vendosur që t`i dërgohej mbretit për dekretim vendimi për caktimin e të djelës si ditë pushimi.
Në qarqet intelektuale të kryeqytetit ky vendim bëri përshtypje të mirë. Kjo reformë bëhej për shkak të koherencës që shteti i ri shqiptar duhej të kishte me vendet europiane. Bashkë me të dielën, qeveria e kohës caktoi edhe festat zyrtare. Ato ishin 28 Nëntori (dita e indipendencës); 8 Tetori (ditëlindja e mbretit); 1 Shtatori (dita e proklamimit të monarkisë) dhe 1 Janari (dita e parë e vitit të ri). Bashkë me festat civile, u konsideruan si ditë pushimi edhe 16 ditë të tjera, që lidheshin me kalendarin festiv të komuniteteve fetare.
Gjatë këtyre ditëve, zyrat e shtetit do të ishin të mbyllura, me përjashtim të Post-Telegrafës dhe policisë.
Gjithashtu në stinën e verës, për shkak të vapës u vendos që nënpunësit të punonin me orar të reduktuar. Sipas dekretit, nga 15 qershori deri më 31 gusht, zyrat e shtetit do të qëndronin të hapura nga ora 7 e mëngjesit deri në orën 13:00 të drekës.