Nicola Gratteri, prokurori që drejton luftën e Italisë kundër krimit të organizuar, ka mësuar të jetojë në rrezik të vazhdueshëm.
Rrjeti televiziv BBC ka realizuar një bisedë me të, ku rrëfehet ndër të tjera se si ekipi i tij udhëzohet ta presë atë jashtë gjykatës, në rajonin jugor të Kalabrisë, ku ai po mbikëqyr gjyqin më të madh të këtij lloji që nga vitet 1980. Më shumë se 330 të dyshuar kanë dëshmuar atje dhe 70 prej tyre tashmë janë dënuar.
Papritur Gratteri futet brenda, i rrethuar nga eskorta e tij e pesë makinave të policisë. Ekipi i BBC-së e falënderon disa herë për gatishmërinë për t’u takuar dhe biseduar.
“Mos më falënderoni – dhe le të vazhdojmë. Nuk ka asgjë që urrej më shumë se koha e vdekur’”, thotë Gratteri.
Njeriu në listën e vrasjeve të mafias më të fuqishme të Italisë, “Ndrangheta”, i cili ia ka kushtuar të gjithë karrierën e tij përballjes me grupin, nuk e shijon jetën.
“Dhe më pas ai vendos të na çojë në zyrën e tij 40 minuta larg. Ai do të jetë më i lirë të flasë atje. Ne hyjmë në makinën e tij të blinduar dhe kështu fillon udhëtimi ndoshta më i rrezikshëm në Itali”, thuhet më tej në shkrimin e BBC-së.
“Unë jetoj me këtë nivel sigurie që nga viti 1989, kur shtëpia e të fejuarës sime u qëllua dhe dikush e telefonoi natën për t’i thënë se po martohej me një të vdekur”, është shprehur Gratteri.
Në vitin 1992, prokurori Giovanni Falcone u hodh në erë nga një bombë e vendosur nën një autostradë pranë Palermos nga mafia siciliane, “Cosa Nostra”. Bomba e vrau atë, gruan e tij dhe tre oficerë policie. Kolegu i tij Paolo Borsellino u vra nga një veturë bombë dy muaj më vonë.
Vrasjet e tyre dhe imazhet e zjarrta të autostradës gjysmë të shembur në skenën e sulmit në Falcone – shihen ende nga italianët si një moment përcaktues në historinë e tyre moderne.
Me sytë nga rruga, Gratteri thotë se mendon shpesh për gjyqtarët e vrarë, dhe se si ata po lëviznin objektiva ndërsa kalonin me veturë nëpër një pjesë tjetër të vendit të helmuar nga krimi i organizuar.
“Unë shpesh flas me vdekjen, sepse duhet të racionalizosh frikën për të ecur përpara. Përndryshe nuk mund ta bëja këtë punë”, shprehet ai.
“Ne me shpejtësi kalojmë atë pjesë të Italisë, bastionin e ‘Ndrangheta-s që nga origjina e saj në shekullin e 19-të. Sindikata kriminale bazohet rreth klaneve familjare të cilat tradicionalisht kontrollonin fshatrat në majë të maleve të peizazhit kalabrez, besnikërinë e tyre të paepur të krijuar nga lidhjet e gjakut.
Ndërsa ‘Cosa Nostra’ e Siçilisë dhe ‘Camorra’ rreth Napolit njihen më mirë ndërkombëtarisht, mirëpo, të dyja janë dobësuar nga një goditje e pamëshirshme e policisë. Si rezultat, ‘Ndrangheta’ është ngritur në vend të tyre dhe tani është mafia më e fuqishme e Italisë, me degë në mbarë botën, nga Amerika e Jugut në Australi, dhe një qarkullim vjetor të vlerësuar prej rreth 60 miliardë dollarë. Monedha e tyre është kokaina. Grupi dominon tregun global dhe tani mendohet se kontrollon deri në 80 për qind të tregtisë evropiane të drogës”, thuhet ndër të tjera në shkrimin për njeriun që është në listën e vrasjeve të mafias më të fuqishme të Italisë.