Kinë rreth 60,000 viktima për një muaj nga COVID-19

Autoritetet shëndetësore të Kinës kanë regjistruar rreth 60,000 viktima si pasojë e Covid midis 8 dhjetorit dhe 12 janarit. Ky numër nuk përfshin vdekjet jashtë objekteve mjekësore.

Gjithsej 59,938 viktima u regjistruan midis 8 dhjetorit dhe 12 janarit,” sipas një zyrtari nga Komisioni Kombëtar i Shëndetësisë së Kinës. Sipas autoriteteve shëndetësore të Kinës, 5503 viktima u regjistruan si pasojë e problemeve me frymëmarrjen.

Gjithashtu, janë regjistruar 54,435 viktima të personave që janë diagnostikuar pozitivë me koronavirus, por kanë vuajtur edhe nga sëmundje të tjera, si kanceri apo sëmundjet kardiovaskulare.

Numri zyrtar i vdekjeve përfshin vetëm ato të pacientëve pa sëmundje themelore, bazuar në përkufizimin e miratuar nga Kina. Mosha mesatare e atyre që vdiqën ishte 80.3 vjeç dhe 90% e atyre që vdiqën ishin mbi 65 vjeç, sipas South China Morning Post.

Kina është kritikuar për mungesë të transparencës në lidhje me të dhënat që ka publikuar për pandeminë. Shumë vende kanë vendosur kufizime për udhëtarët nga Kina, duke i bërë thirrje Pekinit të ndajë më shumë të dhëna me pjesën tjetër të botës.

Shpërthimi i valës së re të koronavirusit në Kinë pritet të zgjasë dy deri në tre muaj. Epidemiologët kinezë parashikojnë gjithashtu rritjen e rasteve në Kinën rurale, ku sistemi shëndetësor është kryesisht i papërgatitur për një valë të re të koronavirusit.

Infeksionet pritet të rriten në zonat rurale pasi qindra miliona njerëz do të udhëtojnë në qytetet e tyre për festën e Vitit të Ri Hënor, i cili zyrtarisht fillon më 21 janar.

Rikujtojmë se Kina hoqi masat duke “braktisur” politikën e saj Zero-Covid muajin e kaluar dhe rihapi kufijtë të dielën e kaluar.

Latest articles

Related articles