Përgatiti; Sebastian Zonja
Elita ruse, përditë e më shumë, është bërë tërësisht paranojake duke shpejguar problemet e luftës, të politikës ndërkombëtare dhe historisë së vendit me teori komploti. Nikolai Patrushev është një nga mendjet më të ndritura që qëndron pas shumë teorive konspirative që përhapen nëpër mediet ruse dhe më gjerë. Sipas shumë ekspertëve të komunikimit, fabrikimi i tezave për elitë globale që sundon botën, për Kovidin, për masonët apo iluminatin, Sorosin apo pleqtë e sionit, vjen pikërisht nga zyra që drejton Patrushevi.
Një nga zërat më të fortë për të shpërndarë teori komploti për Kovidin ishte media “Sputnik” apo “Russia Today”. Saj investigimeve që kam bërë, janë mbi 16 artikuj, të cilët nxisin teoritë konspirative që virusi ka dalë nga një laborator i CIA-s amerikane. Fakte nuk jepen për këtë rast, por vetëm lidhje të tërthorta.
Sipas konspiracionistëve, një grup i vogël njerëzish kontrollojnë jetën e një numri të madh banorësh në botë. Ata ndikojnë në gjithçka që ndodh rrotull nesh dhe gjithçka i nënshtrohet planeve të fshehta të tyre. Në Rusi dhe në vendet e hapësirës post-sovjetike, teoritë anti-globaliste, antikoloniale janë mjaft të përhapura. Sipas këtyre teorive, Rusia është një territor që “ATA” po përpiqen ta kthejnë në koloni të Shteteve të Bashkuara ose të “Perëndimit”. Teori të këtilla janë shumë të artikuluara dhe mbrohen vetëm duke shtuar sovranitetin. Ndër të tjera, teoritë e komplotit bëhen më të besueshme sepse thjeshtojnë të gjitha shpjegimet dhe e bëjnë situatën më të ndërlikuar shumë të kuptueshme. Sipas ekspertëve të komunikimit, teoria e konspiracionit fiton gjithmonë mbi shkencën, sepse kur ka shpjegime shkencore dhe analitike, duhet të vrasësh mendjen, ndërkohë teoria e konspiracionit është totale sepse krijon shpjegim të thjeshtë për gjithçka që ndodh në botë.
Gjatë luftrave dhe krizave ekonomike është terreni i artë për të mbjellë dhe lulëzuar këto teori. Ato shpjegojnë gjithçka dhe njerëzit duan një shpjegim për çfarë është duke ndodhur. Faqet dhe portalet ruse raportojnë klikime të shumta nëpër postimet ku flitet për teori konspiracioni, që, sipas ekspertëve, janë shumë emocionuese dhe ngjallin debate të forta.
Historianë rusë thonë se për shkak të informacionit të kufizuar në Rusi, por edhe historisë së ashpër të komunizmit gjakatar dhe traumave që ka lënë ai pas, shumë rusë janë të gatshëm t’i pranojnë si shpjegime të vërteta teoritë e komplotit, sepse e reduktojnë botën në terma të kuptueshëm.
Sipas “Novayagazeta”, një medie ruse opozitare, problem ndërlikohet edhe më shumë kur elitat ruse i janë bashkuar popullsisë për të besuar në komplote. Fillimisht duke i promovuar ato, e më pas edhe duke i besuar.
Sipas antropologut rus Aleksandr Arkhipov, origjinën e këtyre teorive të reja të komplotit mund ta gjejmë te propaganda e fortë marksiste sovjetike.
Një nga idetë që mbisundon sot nëpër medie dhe biseda të lira është se Perëndimi është i përfshirë në luftëra mendore kundër Rusisë, ndaj Rusia duhet të marrë të gjitha hapat për t’u mbrojtur kundër këtij komploti tinëzar. Kjo luftë, sipas Arkhipovit po përdoret për të shmangur kritikat nga Kremlini që po Lufton me “forca të errëta” në Ukrainë dhe nëpër botë.
Sa i përket Ukrainës, teoria më e fundit në qarkullim është se amerikanët po fuqizojnë Poloninë për të copëtuar Ukrainën dhe më pas të hyjnë në Rusi me anë të planit “Dulles” dhe të pushtojnë edhe Rusinë. Ndaj Rusia nuk ka zgjidhje tjetër veçse ta pushtojë të gjithë Ukrainën.
Më poshtë është edhe linku i një interviste të Patrushevit ku jep “udhëzime” se si duhet të trajtohen shumë ngjarje të rëndësishme botërore.
https://aif.ru/politics/world/pravda_na_nashey_storone_nikolay_patrushev_o_srokah_specoperacii