Trajneri i Romës, Jose Mourinho nisi polemikat duke u shprehur hapur kundër mënyrës së organizimit të Kupës së Italisë duke theksuar se kompeticioni nuk i mbron skuadrat e vogla që marrin pjesë.Mourinho ishte shumë kritik ndaj formës së organizimit të këtij kompeticioni, kurse përmendi edhe raste që mendon se janë subjekt i padrejtësive gjatë këtij edicioni.
“Do të më pëlqente shumë ta fitoja Kupën e Italisë, e kam fituar një herë këtu në Romë. Por, tashmë do të më pëlqente ta fitoja në Romë me Romën. Gjithsesi, kjo nuk e ndryshon mendimin tim kur them se Kupa e Italisë është turneu më i keq në Evropë. Skuadrat e vogla nuk janë të mbrojtura, nuk i jep shpresë atyre që kanë një ëndërr dhe këtu nuk po flas për Romën. Po flas për Torinon që pasi fitoi dhe eliminoi Kampionët e Italisë (Milanin), tashmë i duhet të luajë sërish jashtë fushe. Përse? Sepse në sezonin e kaluar, Fiorentina u rendit më mirë se ata në kampionat.Unë këtë nuk e kuptoj, nëse do të kisha një skuadër më të vogël, unë nuk do të investoja fare për Kupën e Italisë. Përse duhet të motivohem? Të luash jashtë sepse kështu e vendos kalendari, ku është bukuria e këtij kompeticioni? A nuk është bukur të shkosh të luash në fushë të Serisë C në një stadium plot? Ndeshjen e radhës e luajmë ose kundër Cremoneses në shtëpi, ose në Napoli.
Do të provojmë të fitojmë në të dyja rastet. Mund të ndodhë edhe që të humbasim si në sezonin e kaluar, por nuk ka problem. Të luash në tre kompeticione është e vështirë, të gjithë kërkojnë të fitojnë Kupën e Italisë por ne te Roma synojmë vetëm të fitojmë ndeshjen e radhës”, u shpreh Mourinho.