Arratisje spektakolare në Maqedoninë e Veriut,reagon MPB


MPB ka dhënë detaje se si ka ndodhur arratisja e të burgosurit në Idrizovë, i cili ka ikur gjatë transportimit të tij për në spital.

Nga MPB thonë se arratisja e të burgosurit nga “Idrizova” ka ndodhur para mesnatës. Katër zyrtarë të burgut e kanë shoqëruar për në spital të burgosurin. Në raport thuhet se e gjithë drama ka ndodhur në autostradë.

Një pjesëtar i policisë së burgjeve është plagosur, ndërsa një i burgosur në “Idrizovë” është në arrati. Ky është rezultati i një rrëmbimi të ndodhur gjatë natës së mbrëmshme, gjatë shoqërimit të një të burgosuri të sigurisë së lartë nga burgu në spital.

Policia e burgut hasi në disa persona të armatosur, furgoni që transportonte të burgosurin u ndalua, pati të shtëna, një polic u plagos në fshikëz. Ndërsa i burgosuri u nxor dhe iku bashkë me personat e armatosur.

Aksioni i arratisjes ishte planifikuar. Këtë e tregon edhe fakti se personat e armatosur e dinin saktësisht se kur do të dërgohej i burgosuri në spital, e njihnin mjetin dhe megjithëse nuk konfirmohet, ndoshta kishin të dhëna shtesë se sa ishte numri i policëve që do ta merrnin të burgosurin, trajtimi dhe rruga e lëvizjes. I burgosuri jozyrtarisht ka vetëshkaktuar një plagë, për të cilën ka kërkuar mjekim.

Nga MPB kanë paralajmëruar informacione në kohë sa më të shkurtë.

Në një intervistë për “A1on”, Marjan Spasovski, drejtor i Administratës për zbatimin e sanksioneve, ka pranuar se në burgje mbretëron korrupsioni endemik. Aksioni i arratisjes së të burgosurit ka lënë edhe te organet kompetente dyshimin se ka qenë i koordinuar me persona të burgut, duke pasur parasysh informacionet që posedonin personat e armatosur. Ky është vetëm një nga disa incidentet që kanë ndodhur muajt e fundit, lidhur me sistemin e burgjeve.

Latest articles

Related articles