Antonio Leka, 36-vjeçari që u kap me municione luftarake në Lezhë e ka prezantuar veten si patriot para hetuesve.
Gjatë marrjes në pyetje, i riu sipas burimeve hoqi bluzën dhe u demonstroi agjentëve tatuazhet që ka në trup. 36-vjeçari refuzoi të tregonte se ku i kishte gjetur armët dhe municionet ndërsa hetuesit dyshojnë se ai mund të ketë probleme të shëndetit mendor për shkak të deklarimeve kontradiktore.
Për këtë arsye, është kërkuar që t’i bëhet një ekspertizë për të përcaktuar gjendjen e tij psikologjike. Antonio Leka, ra në prangat e policisë pas denoncimit të bërë nga familjarët e tij, të cilët e panë të lëvizte i veshur me jelek antiplumb dhe armë.
36-vjeçari u kap në aksin rrugor Milot-Lezhë, pranë ishull Shëngjinit.
Para se të prangosej ai është fotgrafuar me automatik në dorë dhe me qeleshe në kokë brenda një servisi makinash në këtë zonë. Gjatë kontrollit të ushtruar në makinën e tij, policia gjeti dhe sekuestroi: 1 armë zjarri pistoletë me 5 karikatorë, 1 automatik me 5 karikatorë, 550 fishekë luftarakë për pistoletën dhe automatikun, 1 palë dylbi, 1 antiplumb ushtarak, 1 thikë, 1 çantë ushtarake, lëndë e dyshuar narkotike kanabis dhe rroba kamuflazhi.
Antonio Leka pohoi para uniformave blu se ishte armatosur për të vrarë politikanët.