Permbytje dhe rrëshqitje dherash në Shkodër dhe Lezhe

Reshjet intensive të shiut të rëna gjatë natës krijuan probleme në disa lagje të qytetit të Lezhës.

Përmbytjet më të mëdha ishin ne lagjen Besëlidhja. Nga reshjet u bllokuan kanalet e ujerave te zeza dhe pusetat e për pasojë uji vërshoi mbi rrugë. Si rrjedhojë u shkaktuan vështirësi në qarkullimin e mjeteve por dhe këmbësorëve.

Situata u normalizua pas zhbllokimit të pusetave.

Ndërkohë në Shkodër pati rrëshqitje dherash në Njësinë Administrative të Postribës. Për disa orë në këtë zonë u bllokua lëvizja e mjeteve në segmentin rrugor Mes – Ura e Shtrenjtë.

Autoritetet ndërhynë për pastrimin e këtij aksin ndërsa u bënë thirrje banorëve që të lëvizin me kujdes në këtë zonë.

Nga ana tjetër në zonat bregdetare u pezullua lundrimi. Era e fortë dhe dallgët e mëdha detyruan autoritetin portual të Durrësit që të mos lejojë asnjë mjet të vogël lundrues dhe asnjë anije peshkimi të dalë në det.

I njëjti vendim u mor dhe nga kapitaneria e Vlorë, e cila ndaloi dhënien e lejes për të gjitha anijet e vogla e të mesme deri në përmirësimin e kushteve të motit.

Latest articles

Related articles