Një tjetër mesazh për ata që nuk e duan SPAK – REDAKSIONALE

Kur gjithçka po dukej se po futej në sirtarin e harresës, fati risjell në vëmendje edhe një herë komisionin hetimor të inceneratorëve. Shkaku? Një ngjarje e rëndomtë. Vjedhja e mbi 100 mijë eurove dhe zbulimi i 400 mijë të tjerave në shtëpinë e ish drejtoreshës së koncesioneve në Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë.

E njëjta drejtoreshë që kish qenë pas ministrit Ahmetaj dhe e furnizonte atë me informacione në dëgjesat e gjata të Komisionit Hetimor të Inceneratorëve. E njëjta që kishte firmosur shkresat të cilat edhe Faktor.al i ka bërë publike. E njëjta që ka dijeni për aferat e ndryshme që mund të kenë ndodhur gjatë qendrimit të ministrit Ahmetaj në lidhje me inceneratorët dhe jo vetëm.

Duket se rastësia po i rikthen jo rrallë ngjarjen e famshme të inceneratorëve, duket se dora e padukshme e Zotit po tregon me gisht pikërisht të vetmin personazh që Foltorja dhe Partia e Lirisë kursyen nga sulmet. Si për të dëshmuar se ata nuk janë dhe nuk ishin denoncuesit rastësor të kësaj afere dhe aq më pak të shiturit e këtij procesi.

Sali Berisha nga foltorja e kuvendit deklaroi se Komisioni Hetimor i Inceneratorëve ishte një Pazar i Bashës me Ramën për të varrosur çështjen. Ai ulëriste nga Foltoret e tij, mitingjet me disa salikratë, se kishte prova për këtë akuzë. Në fakt, ai ka qenë më i interesuari që Arben Ahmetaj të mos prekej. Ai e di që loja e prekjes së zv kryeministrit mund të shkojë sa tek Ilir Meta (ish zv kryeministër i tij) e deri tek ai vetë.

Sali Berishës, nuk i intereson kjo çështje që të shkonte më tej. Edhe sot në buzëqeshjen e tij të prishur gjenden mbetjet e një hatërmbetje dhe kutërbimi urrejtje se përse komisioni vazhdon, përse SPAK mund dhe duhet të hetojë Ahmetaj dhe drejtoreshën Klosi. Ai trembet jo për fatin e Ahmetaj, jo për fatin e znj Klosi, as për fatin e Alqi Bllakos apo Lefter Kokës; ai trembet për fatin e tij, për fatin e familjes së tij.

Kur në media shkëlqen dosja e inceneratorëve ai sheh aty dosjen e Gërdecit. Kur në media shkëlqen dosja e sterilizimit ai sheh aty dosjen CEZ-DIA, kur në media përflitet dosja e rrugës KArdhiq Delvinë ai sheh aty dosjen e privatizimit të ish klubit Partizani. Këto janë makthet e një njeriu që nuk do drejtësi sepse ka frikë për veten e tij.

Prandaj sot, ndërsa ai flet plot sarkazëm ndaj Klosit apo dikujt tjetër në fakt është duke folur me frikën e një njeriu që e di se po i troket vakti për t’u përgjigjur.

Latest articles

Related articles