“S’besoj se i ka paratë nga kursimi” – Deputeti i PD për vjedhjen e 120 mijë eurove nga shtëpia e zyrtares së Kryeministrisë

Deputeti i Partisë Demokratike, Dashnor Sula ka reaguar për arrestimin e nënë e bir që vodhën 120 mijë euro nga shtëpia e zyrtares së kryeministrisë, Alda Klosit.

dashnor-sula

Në një postim në Facebook, Sula thotë se “nga ferra e vogël del lepuri i madh”, duke hedhur akuza mbi zyrtarët e administratës që pavarësisht rrogave të tyre, fshehin qindra mijëra euro në banesa.

Sula hedh dyshime se në të vërtetë, ato para që iu vodhën Alda Klosit nuk janë nga kursimet e saj. Ai i bën thirrje organeve të drejtësisë që të hetojnë më tej një rast të tillë.

Postimi i Dashnor Sulës:

“Nga ferra e vogël del lepuri i madh”: Ekziston një shprehje shumë e bukur popullore tek ne që i shkon shumë për shtat ngjarjes së ditëve të fundit. (Arrestimi i nënë e bir)

“Nga ferra e vogël del lepuri i madh”. Kjo shprehje i jep shumë kuptim ngjarjes së arrestimit nënë e bir pasi kanë vjedhur qindra e mijëra euro në shtëpitë e zyrtarëve të qeverisë. Vjedhja, patjetër është e dënueshme dhe plotësisht dakord me masën e sigurisë që u dha ndaj tyre. Por prokuroria duhet të gjejë “lepujt” e mëdhenj.

Zyrtarët e qeverisë që ndonëse me rroga jo marramendëse në shtëpitë e tyre fshehin qindra e mijëra euro. Nuk besoj se ka ndonjë naiv që të mendoj se ato para që iu vodhen zyrtares A. Klosi e cila ka qenë drejtoreshë e koncesioneve në Ministrinë e Financave janë para nga kursimet.

Si ish-koleg i tyre, inkurajoj prokurorët të hetojnë përtej rastit. Pastruesja dhe djali i saj janë vetëm dy hajdutë, por hajdut njësoj si ata janë edhe zyrtarët që zhvatin taksat e qytetarëve dhe i fshehin ato nën jastëkë e nën dyshekë.

A.Klosi ishte vetëm njëra nga zyrtarët e vjedhur nga nënë e birë, shumë prej zyrtarëve nuk i kanë denoncuar hajdutët sepse ata vetë janë hajdut më të mëdhenj dhe nuk justifikonin dot paratë. Ngjarja e ditëve të fundit është treguesi më i mirë i korrupsionit të shpërndarë në çdo qelizë të administratës dhe duhet të shërbej si një rast për të zgjeruar hetimet më tej.

Jam i bindur se nëse hetimi zgjerohet pa u ndikuar nga pushteti, do të dalin në pah edhe shumë e shumë hiena të administratës që janë bërë shkas i boshatisjes së qytetareve.

Latest articles

Related articles