Pse foltorja hesht për 8 janarin

Rey Shehu

Për disa 8 janari, e thënë figurativisht, është një lloj “Revolucioni Francez”, i munguar dhe pse nga tipologjia se si u zhvillua apo nga mënyra se si përfundoi, më shumë ngjason me kryengritjet Bolshevike të fillim shek.20.
Pse asnje nga foltorja, nuk thotë gjysëm fjale për këtë datë, pasi për të folur politikisht, kjo ishte fitorja e madhe e konservatorëve ndaj të shiturve dhe të pabesëve!

Nuk flasin pasi kjo ditë, është njollë e zezë për demokratizimin e brendshëm të partisë. Heshtje pasi në 8 janar, u dëshmua rrëzimi i çdo norme demokratike që Foltorja, kishte proklamuar nëpër tubime. E drejta e fjalës, toleranca politike, programi zhvillimor, hapja e partisë etj etj, u zëvendësuan nga varreja, shkallët, gurët dhe mallkimet. 8 janari ka domethënie të pastër pasi vërtetoi që nuk kërkohet bashkim por nënshtrim. Heshtin pasi objektivi i vërtetë, ishte marrja e institucionit të partisë dhe jo demokratizimi i saj.

U deklarua se çdo vendim politik, do të organizohej me primare dhe jo nga kryesia. Gënjeshtër me brirë! Çdo vendimmarrje, diktohet nga vullneti i një njeriu të vetëm, Berishës. Primaret, janë larg demokratizimit pasi proçesi i marrjes së partisë, u bë me dhunë. Si rast krahasimi, përmend se dhe Vladimir Putin, është zgjedhur me primare në Rusi dhe dihet se sa demokratike është Rusia!

Demokratizimi, është një proçes që buron nga vullneti i shoqërisë për të ndryshuar elitat politike. A nxirret baba prej shtëpie, thonë disa demokratë. Kulti i individit, historia politike e tranzicionit, mungesa e kulturës demokratike, kanë rrënjosur thellë mitin se qënia e Berishës aty, është thjesht natyrale dhe mbi të gjitha, e pazëvendësueshme. Vullneti i babës është i pakundërshtueshëm dhe partia, duhet të funksionojë si tarafi personal i një njeriu.

Pavarësisht propagandës së krijimit të franksioneve politike, asnjë nuk është formuar. Kjo pasi ata që mendojnë ndryshe, nuk i shpëtojnë dot inkuizicionit të PD-së. Ata përjashtohen dhe denigrohen, fenomen ky i 32 viteve të egzistencës së PD-së. Sot një element më i fuqishëm se kurrë pasi kjo parti, ende cilësohet si pronë dhe për pronën, shqiptari të vret.

Që prej asaj dite, s’është se ka ndodhur ndonjë ndryshim i madh brenda PD-së. Janë po të njëjtat figura që riciklojnë njëra-tjetrën. Këto janë pasojat e 8 janarit, ku mbas një viti denigrime, dhunë, sharje dhe mallkime, forca e parë anti komuniste shqiptare, ndjek shembullin komunist, atij të liderit të pakundërshtueshëm, ngritjes në karrierë prej dashurisë së liderit, luftës ndaj mendimit ndryshe, shmangjes së modernizmit dhe izolimit total. 8 janar i heshtur për flamurtarët që sot bërtasin liri dhe demokraci.

Latest articles

Related articles