Alfrisa Marku
Ata që sulmuan PD-n dhe demokratët më 8 janar, ishin po ata: të majit ‘96 kur për pushtet u cënua edhe vota e lirë; të marsit ‘97 kur me vetdije lejuan skemat piramidale duke u bërë përgjegjës për luftën civile që pasoi; të Gërdecit 2008 kur jeta dhe shëndeti i askujt s’kishte vlerë para interesave financiare të një grupi njerëzish, të cilët pushtetin e kanë keqpërdorur edhe për tju shmangur drejtësisë. Ishin po ata që në janar 2011 u treguan jo të sinqertë me shqiptarët dhe të dobët publikisht përballë korrupsionit të kryer, s’mundën të dëshmojnë atëherë kur koha kërkoi me shumë se kurrë, se dinë edhe të mbajnë përgjegjësi.
PD u themelua mbi ëndrrat e shqiptarëve, atëherë kur asgjë nuk i ndante, por bashkëvuajtja nën një regjim e projekti për Liri e Demokraci i bashkonte për shtet të së drejtës, barazi, vizion e të ardhme pro perëndimore.
E sot, askush s’duhet e s’mund të mendojë që në këmbim të mospërballjes me drejtësinë, të keqpërdorë sërish kësaj radhe duke u përpjekur që sakrificën 30 vjeçare të demokratëve, tua dorëzojë interesave apo marrveshjeve që kanë qëllim mbajtjen në pushtet të këtij regjimi dhe rikthimin në skenën politike të asaj partie që simbol ka korrupsionin me zë e figurë.
8 janar 2023: PD ka reflektuar bazuar edhe në arsyetimin e atyre që kishin vite që refuzonin ti besonin për ta votuar. PD ka reflektuar bazuar në kontributin dhe sakrificen e mijëra demokratëve që gjithmonë kanë shërbyer me besimin se politika është proces dinjitoz me të vetmin qëllim zhvillimin e vendit. Demokratët kanë reflektuar e shquar ata që në Partinë Demokratike kanë shërbyer duke projektuar të ardhmen e Shqipërisë.
Në 2021 shqiptarët dhanë mesazhin se janë të gatshëm ti besojnë Partisë Demokratike por me kushtin që kjo forcë politike të shkëputet nga autorët e gabimeve të së shkuarës që ende duan ta përdorin PD-n. Këta të fundit duhet të mbajnë përgjegjësi për çdo akt të kryer që ka dëmtuar Shqipërinë e shqiptarët.
Sot, Partia Demokratike ka gjithë mundësitë, kapacitetin dhe detyrimin, ka besimin e shqiptarëve, që mbi po të njejtat vlera kur u themelua, të jetë alternativë për tu besuar, duke rigjetur edhe një herë forcën dhe energjinë te intelektualët, shqiptarët e ndershëm e punëtorë, të arsyeshëm e me respekt ndaj parimeve, te ata demokrat e shqiptarë që guxuan dhe patën durimin të kritikojnë dhe dalin kundër politikës herë të paaftë e herë dashakeqe 30 vjeçare.
Të njohësh veten është vetedijësi dhe shkalla më e lartë e respektit; të marrësh masa dhe të investosh për ndryshimin është akoma më shumë, është përgjegjësi, zhvillim dhe emancipim.
Kushdo e bën këtë, i ka bërë shërbim të çmuar vendit tonë .