Flamuri gjakatar i nolizmit politik – vrasja e armikut të brendshëm si akt patriotik

Nga Sebastian Zonja

Më 6 janar të vitit 1882, në Ibriktepe, lindi një nga intelektualët më të shquar të Shqipërisë, Fan Noli. Kontributi i tij në letërsi, gjuhësi dhe teologji është nga më të rëndësishmit e Rilindjes Shqiptare. Ai zhvilloi aktivitetin e tij në kohën kur Evropa kishte dinamika të forta politike – Perandoritë po binin dhe në Rusi kishte fituar Lenini.
Fan Noli, politikisht, nuk doli dot jashtë mendësisë së kohës së tij. Daullet e Revolucionit në Rusi binin fort edhe në veshët e tij dhe të shumë personave që e rrethonin. Kjo s’do të thotë se Noli nuk ishte patriot, porse Noli ishte politikan shumë i dobët.
Lëvizja e Nolit në politikë edhe pse dështon shpejt, vijon me Partinë Komuniste Shqiptare. Personazhet që ishin pas nolizmit në vitet ’20, në shumicë, ishin po ata që më pas kaluan me fashistët, nazistët e më pas me sllavokomunistët.
Që pas fitores së komunizmit në Rusi, sovjetikët nisin që të përhapin ideologjinë e tyre kudo nëpër botë duke rekrutuar agjentë dhe propagandistë. Filale që shërbenin për të rekrutuar në emër të Revolucionit ishin sllavët dhe grekët. Ndaj sot sheh se si shumë komunistë shqiptarë janë tejet të lidhur me Beogradin dhe Athinën. Fijet shkojnë që në vitin 1924 kur u mbajt heshtje për Leninin në parlamentin shqiptar.
Nolizmi është emërtesa e një lëvizjeje që kryesohet nga Fan Noli për të ardhur ai kryeministër, por gjatë viteve, gjatë rrugës për të ardhur në pushtet, duhet thënë se nolizmi është shumë më i gjerë, sepse aktiviteti kriminal dhe terrorist i shumë ithtarëve të revolucionit moskovit do të zgjerohet për t’i vënë, shpeshherë pa faj, damkën e pashlyeshme të kriminalizimit të politikës edhe Fan Nolit vetë, dijetarit të madh shqiptar.
Logjika me të cilën vepronin nolistët ishte: “Ja ne në qeveri, ja Shqipëria shkrumb e hi!”.
Edhe sot, po të hedhësh një sy ndër ata që e adhurojnë nolizmin politik, jo poezinë dhe letërsinë e tij, shohim se shumë janë enveristë në mendësi dhe që madhërojnë kriminalizimin e politikës – vrasjen e të pasurve, grabitjen e pronës, marrjen e pushtetit me dhunë… Janë gjithashtu persona që ngatërrojnë letërsinë me politikën, sepse Noli ishte poet revolucionar shumë i madh, ngjashëm me Majakovskin në Rusinë revolucionare, por politikan shumë i vogël.
Me poezinë e Nolit mund të bëje revolucion, siç e nisën kur u vra atentatori Avni Rustemi, por nuk mund të bësh shtet.
Merita e vetme e Fan Nolit në politikën shqiptare është se ai vjen si personazh pa lidhje agjenturore, por si një aktor i rëndësishëm që fiton me Revolucion. Nolizmi nuk është ideologji politike – as e majtë, as e djathtë – veçse marrje dhe mbajtje e pushtetit me çdo kusht.
Fan Noli, me amatorizmin e vet në politikë, ngjan si Don Kishoti që vetë kishte përkthyer. Merr një tufë rrangallësh nga mbrapa dhe nis të trazojë krejt jetën politike të vendit pa pasur një synim se ku do të shkojë dhe si.
Britanikët që ishin pas Kongresit të Lushnjes, e rrëzojnë menjëherë nga pushteti, se e shohin që s’ka asnjë gjasë të jetë politikan, veçse dijetar dhe intelektual me kalibër evropian. Po ashtu, britanikët i hapin rrugën Ahmet Zogut.
Fan Noli është intelektuali i madh shqiptar, por që fatkeqësisht futi në politikë me taborin e tij, linjën më terroriste të politikës shqiptare – vrasjen e kundërshtarit dhe marrjen e pushtetit me dhunë.
Për nolistët, siç janë sot shumica e atyre që na qeverisin prej 30 vjetësh, pushteti buron vetëm nga grykat e zjarrit, jo kutia e votimit dhe vullneti qytetar.
Enveristët shqiptarë, bashkë me taborin e tyre të pseudointelektualëve, në pamundësi për të ngritur flamurin e komunizmit sepse është disktretituar kudo në botë, kanë vite që bëjnë gati heshtën për të ngritur lart flamurin e nolizmit politik që përçau kombin shqiptar dhe është tejet gjakatar.

Latest articles

Related articles