Nga Indrit Vokshi
Dëgjova “përgjimin” e vitit 1991, ku Edi Rama, Sali Berisha, Azem Hajdari e Sali Shijaku, bisedonin mes tyre.
Çfarë prisnit ju? Kush mendonit se do ta merrte dhe kush do ta trashëgonte pushtetin në vitin 1991-1992? Do e merrnin të persekutuarit apo diaspora? Jo, do ta merrnin po ata që e kishin pasur që nga viti 1944.
Antiteza përfaqësohej nga mbreti Zog I. Mbretin e dëboi Italia në vitin 1939. Mbretit ia ndaloi kthimin Kongresi i Përmetit, pra komunizmi. Pastaj ia ndaloi kthimin Sali Berisha i cili në 1993 që e dëboi në airport, e kthehu mbrapsht.
Në vitin 1997 ia vodhën referendumin bashkarisht, PS e PD. Pra e djathta historike nuk mund të lejohej e nuk u lejua të hidhte themele të reja për një të djathtë moderne. Ta them kështu; nga pema e të djathtës tradicionale nuk u lejua të dilte një e djathtë e re. E djathta doli ajo që u shartua në pemën komuniste, trungun komunist. E djathtë me nënshartesë komuniste.
Mbështetësit e mbretit, tregtarët e qyteteve, fshatarët pronarë e punëtorë, qytetarët profesionistë dhe kleri, u vranë, u burgosën, u pushkatuan, u internuan, u degdisën në periferinë e jetës shoqërore, politike dhe ekonomike. Podiumin social, ekonomik e politik, qendrën dhe rolin, i mori e majta.
Në 1992 e pas 1992, nuk e kthyen pronën, nuk i rivendikuan të drejtat e mohuara nga komunizmi.
Pse? Nëse do i rivendikonin të drejtat, do ngjallnin e do themelonin të djathtën. Ketë nuk mundeshin ta bënin. Të djathtës i duhej eleminuar baza ekonomike e sociale. Duhej krijuar baza e re. Cila ishte baza e re? PPSH i zaptoi qytetet pas viti 1944 dhe instaloi në to bastionet e veta, kryesisht krahinore. Edhe pas viti 1990 vazhdoi po të njejtën politikë.
PDSH ndoqi të njejtën politikë si PPSH. Zaptoi edhe ajo territoret dhe pronat me të transferuarit prej zonave besnike krahinarisht. Me mbështetje shtetërore. Në kurriz të kujt? Në kurrioz të familjeve shqiptare pronare, bazamentit potencial të së djathtës.
Sot na shtiren si të djathtë zaptuesit, ish sigurimsat, ish spiunët, ish komunistët. Vazhdojnë operacionin për mbajtjen peng dhe identifikimin e vetes me të djathtën.
Vetëm ne që nuk i kemi zaptuar pronë askujt, as me shtet e as pa shtet, vetëm ne që mendojmë ta blejmë pronën, vetëm ne që nuk kemi spiunuar e nuk kemi rrasur njerëz burgjeve, guxojnë të na akuzojnë se nuk jemi mjaftueshëm të djathtë.
Të djathtë janë zaptuesit, spiunët, bashkëpunëtorët e sigurimit, ish sekretatët e Partisë së Punës, menaxherët e krimit të organizuar; janë edhe aksionistët për shembjen e kishave dhe xhamive si dhe agjentët e armiqëve të Shqiptarisë. Ata vetëquhen të djathtë.
Ne me besim në Zot, me respekt për pronë, me vlerat politike për shtet kushtetues, me dëshirë për ligjshmëri, rend e ligj ne jo. Ne jemi nën akuzë.
Sepse ata janë zaptues të së djathtës. Duan ta mbajnë me para e me kallash, në bashkëpunim me Partinë e Punës. Kjo është e vërteta me të cilën duhet të mësohen të gjithë.