Në shërbimin e kardiokirurgjisë janë ndërprerë ndërhyrjet kirurgjikale për shkak se në sallat e operacioneve mungojnë oksigjeneretorët, materiale shumë të domosdoshme në sallë kur kryhen ndërhyrje në zemër.
Në këtë shërbim, kryhet vetëm një ose dy ndërhyrje që janë raste shumë urgjente, të tjerët përcillen për në spitalet private ose ata të cilët kanë ndërhyrje të planifikuara do të duhet të presin deri sa sallat të pajisen me oksigjeneratorë.
Kjo dëshmohet fare qartë edhe në oborrin e shërbimit të kardiokirurgjisë, i cili këto ditë është boshatisur pasi nuk ka as familjarë që presin të afërm të tyre. Mjeket kirurgë në këtë spital janë vënë në vështirësi përpara pacientëve dhe të afërmve të tyre, të cilët duhet t’i orientojnë drejt spitaleve private kur nuk mund të presin.
Kostoja e ndërhyrjeve kardiovaskulare në një spital privat varion nga 6 deri në 12 mijë euro. Burime të Top Channel thonë se kanë pacientë në pritje për ndërhyrje që prej katër muajsh.
Në një situatë të vështirë u gjend edhe ish-deputeti dhe mjeku Tritan Shehu, kur një i afërm kërkonte ndërhyrje kirurgjikale urgjente. Por, kur mësoi për këtë situatë, nuk kurseu komentet në faqen e tij në “Facebook”, të cilat u pasuan me reagime qytetarësh.
Kjo është hera e parë që një shërbim i rëndësishëm sikurse është kardikirugjia, të ndërpresë punën. Për shkak të problemeve të shumta kardiovaskulare, në ditë të zakonshme kryhen mestarisht 4 ndërhyrje kirurgjikale dhe nevojiten rreth 60 oksigjeneratorë në një muaj. Drejtoria e QSUT-së ka mundur të sigurojë disa oksigjeneratorë vetëm për raste urgjente, ndërkohë që tendera për t’i siguruar ato, kryhen nga Ministria e Shëndetësisë e cila ka vonuar procedurat e tenderit./Marre nga Top Channel