Rajoni i Ballkanit dhe rivaliteti i “fuqive të mëdha” për supremaci në sistemin ndërkombëtar


Nga Ermal Xhelilaj

Historikisht Serbia, një aleate e devotshme dhe promotore e ambicieve imperialiste të Rusisë, është konsideruar gjithmonë një rrezik potencial për cënimin e sistemit të sigurisë në rajonin problematik të Ballkanit. Pavarësisht zhvillimeve kërcënuese në veriun e Kosovës, ambicjet e hegjemonisë serbe në Ballkan shkojnë përtej pretendimeve territoriale të çështjes kosovare. Rreziku rajonal për destabilizim lidhet ngushtësisht me supremacinë ushtarake e diplomatike që Serbia ka arritur gjate dekadave të fundit dhe përfshirja e Bosnje-Hercegovinës, Malit të Zi dhe ndoshta Kroacisë në një konflikt potencial. Të tre këto shtete, me një popullsi (minoritet) të konsiderueshme të serbëve etnik në territoret e tyre, shtrihen pranë kufijve të Serbisë dhe rreziku i një destabilizimi të mundshëm është real.
Konflikti në Ukrainë ka krijuar një precedent të rrezikshëm në hapesirë euro-aziatike jo vetëm me cënimin e sovranitetit e pavarësisë së një shteti të njohur e pranuar në sistemin ndërkombëtar dhe anëtar të OKB-së, por edhe me shfrytëzimin e minoriteteve si justifikim për pushtim ushtarak, brutalitet e genocid, si dhe për objektivat ushtarake me natyrë të dhunshme për të ndryshuar balancën e sistemit ndërkombëtar dhe supremacinë ushtarake e politike në nivel global. Interesat madhore politike, ekonomike, sociale e ushtarake i justifikojnë këto zhvillime kontroversale nga aktorët e fuqishëm ndêrkombêtar. Koha e ka vërtetuar këtë tezê.
I konsideruar një rajon tepër sensitiv e problematik, Ballkani me anë të “problemit nacionalist serb”, mund të konvertohet në një platform të rrezikshme eksperimentale nga aktorë të rëndësishëm global për hegjemoni dhe supremaci në sistemin ndërkombëtar. Thembra e Akilit në këtë realitet të ri në teatrin e zhvilimeve ndërkombêtare është nacionalizmi i sëmurë, arkaik e ekstrem i Serbisë, i cili mund të orientohet nga aleatët e saj strategjik drejt një konflikti të dhunshëm. Frontit të ambicjeve hegjemoniste ruso-kineze në Ballkan tashmë i është bashkuar edhe lufta kibernetike Iraniane.
Qellimi i këtyre aktorëve problematik rajonal e ndërkombëtar, paralel me konflktin në Ukrainë, është minimizimi i prezencës e influencës euro-atlantike në Ballkan dhe konvertimi i Serbisë në një faktor destabilizues për të krijuar konfuzion, përçarje e disbalancim të supremacisë të SHBA e NATO-s në rajon dhe si rrjedhojë ndryshimi i realitetit politiko-ushtarak në nivel rajonal e global.
Në një sistem ndërkombëtar unipolar pas disintegrimit të Bashkimit Sovjetik, është në interesat madhore të Kinës e Rusisë për të rikthyer hegjemoninë e bipolaritetin e forcave të para viteve 1990, e ndoshta me shumë se kaq më pêrfshirjen e Kinës në një triadë supremacish që do të sillte një epokë të re rivaliteti, konfliktesh e lufte të ftohtë me pasoja të paparashikueshme. Në këtë kontekst, duket se rajoni gjeopolitik i Ballkanit do të jetë në epiqendrën e një “tërmeti” gjeostrategjik me aktorë fuqitë e medha të sistemit nderkombëtar.

Latest articles

Related articles