Një variant i ri i koronavirusit është përgjegjës për rritjen e madhe të rasteve me infektime në SHBA, Kanada dhe 24 shtete ku është identifikuar prezenca.
Bëhet fjalë për variantin XBB.1.5, varianti i Covid-19, që është shkaktar për dyfishimin e rasteve në SHBA në javën e fundit të dhjetorit, nga 21.7 për qind në 40.5 për qind, sipas CDC.
Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) shpjegoi se XBB dhe nënlinjat e saj ishin në fakt një rikombinim i nënvarianteve Omicron BA.2.10.1 dhe BA.2.75. Kjo do të thotë se të dy variantet kanë shkëmbyer material gjenetik për të krijuar një version të ri që mbart aspekte të të dyjave, diçka që mund të ndodhë kur dy variante të ndryshme bashkëinfektojnë të njëjtën qelizë.
Variantet e reja të viruseve evolojnë duke përfituar aftësi në shmangien e antitrupave dhe infektimin sa më të thjeshtë të qelizave, megjithatë kjo nuk i bën ato më të rrezikshme.
Sipas të dhënave të CDC, XBB.1.5 filloi të përhapet me shpejtësi në të gjithë SHBA në dhjetor. Në verilindje, varianti përbën 72 për qind të të gjitha rasteve në shtetin e Nju Jorkut dhe Nju Xhersi, dhe 75 për qind në Neë England.
Shkencëtarët thonë se shumë pak dihet deri tani për këtë variant, megjithatë XBB është i aftë për të shmangur më lehtësisht antitrupat si dhe efektet mbrojtëse të vaksinës.
XBB është më i transmetueshëm ndaj mund të jetë më i rrezikshëm për sa i përket numrit të infeksioneve, pasi një virus që infekton më shumë njerëz ka më shumë shanse të shkaktojë dëme apo edhe vdekje.