Klementin Mile
Fenomenet më domethënëse të Shqipërisë së sotme janë dëshira e shqiptarëve për ta braktisur vendin duke emigruar, ndjekja masive e spektakleve televizive si “Big Brother VIP”, “Përputhen”, “Love Story”, dhe ankesa e përsëritur deri në pafundësi për çmimet e papërballueshme të mallrave dhe shërbimeve. Përtej rëndësisë që mbartin këto fenomene për të kuptuar kulturën shqiptare në shekullin XXI, ato shërbejnë gjithashtu si tregues i kategorisë së hapësirës politike ku operojnë partitë, lëvizjet, shoqatat, administrata publike dhe grupet e interesit.
Filozofi politik amerikan Sheldon Wolin në librin e famshëm Politika dhe Vizioni e përkufizon hapësirën politike si vendin ku takohen me njëra-tjetrën forcat e tensionuara të shoqërisë. Ky vend mund të jetë salla e gjyqit, parlamenti, një seancë dëgjimore administrative, konventa e një partie politike etj. Në të gjitha rastet bëhet fjalë për forca që ekzistojnë në shoqëri dhe që mbartin e artikulojnë tension. Hapësira politike bën që veprime dhe vendime në dukje të palidhura me njëra-tjetrën ta informojnë, ndikojnë dhe kushtëzojnë njëra-tjetrën.
Duke u kthyer te hapësira politike shqiptare duhet të mbajmë në konsideratë se kjo kategori, hapësira politike, nuk është konstante por variabël. Kjo do të thotë se ajo mund të ngushtohet ose të zgjerohet edhe pse territori fizik ku ndodh kjo mund të mbetet i njëjti. Kështu, hapësira politike shqiptare sot është mjaft e gjerë, për shembull shumë herë më e gjerë se hapësira politike shqiptare gjatë regjimit komunist. Në fakt, hapësira politike shqiptare sot ka një gjerësi që mund të krahasohet fare mirë me hapësirën politike të perandorive të mëdha të së shkuarës, si bie fjala Perandoria Romake dhe Perandoria Osmane.
Kur hapësira politike zgjerohet forcat e tensionuara të shoqërisë takohen rrallë me njëra-tjetrën dhe shumë pak tension artikulohet. Pjesa më e madhe e tij mbetet në shoqëri në formën e pakënaqësisë dhe indinjatës pa formë politike. Hapësira politike e gjerë, si ajo e perandorive të mëdha të së shkuarës, nënkupton që qytetarët shumë pak i shohin të lidhura me njëra-tjetrën vendimet që merren për shembull në qendrën e perandorisë me veprimet dhe vendimet që marrin qytetarët në jetën e përditshme aty ku banojnë. Pra, në një hapësirë politike të gjerë, qytetarit i duket se jeta e tij nuk ndryshon në mënyrë vendimtare nga vendimet politike dhe prandaj sheh vetëm lidhje të dobëta ndërmjet ligjeve dhe jetesës, politikave dhe mirëqenies, vendimeve qeveritare dhe lirisë së tij. Hapësira politike e gjerë banohet tipikisht nga qytetarë apatikë.
Qytetari apatik është ai që, duke mos parë lidhje midis politikave qeveritare dhe mirëqenies së tij vendos ta braktisë vendin. Është ai që nuk sheh lidhje midis ngritjes së zërit në protestë dhe një qeverisjeje më të mirë. Ai që zgjedh të shohë jetën e të tjerëve si spektator aktiv i spektakleve televizive, pasi në jetën e vet vëren që është aktor pasiv. Qytetari apatik është ai që ankohet për çmimet, por nuk proteston për to, ai që e ndjen se çmimet janë shumë të larta, por nuk e kupton dhe nuk vret mendjen ta kuptojë se prej cilave vendime politike ka ardhur ky nivel çmimesh.
Modeli i kundërt me qytetarin apatik që gjejmë në Shqipërinë e sotme është ai i qytetarit aktiv. Mungesa e tij në perandoritë e mëdha të së shkuarës ishte për shkak të hapësirës së madhe territoriale të tyre dhe pamundësisë teknologjike të komunikimit të shpejtë dhe efektiv nga qendra drejt periferive – çka ishin faktorët kryesorë që e zgjeruan hapësirën politike të perandorive. Përkundër tyre, modeli historik më i shquar që nga sugjeron historia për qytetarin aktiv është ai i qytet-shteteve greke. Në Athinë ose Spartë hapësira politike ishte e ngushtë, çfarëdolloj vendimesh dhe veprimesh të ndërmerrte një qytetar ose grup do të përplaseshin me ato të një qytetari ose grupi tjetër. Ky intensitet i hapësirës reflektohej politikisht te konflikti i zakonshëm i të drejtave, vlerave dhe interesave. Prandaj për grekët e lashtë kishte shumë rëndësi të merrje pjesë në politikë, sepse përndryshe do të merrej politika me ty. Pra, qytetari aktiv i lashtësisë greke e kuptonte që jeta e tij, në të gjitha elementet e saj, kushtëzohej nga vendimet dhe veprimet politike. Natyrisht, edhe në lashtësinë greke kishte forma argëtimi si teatri, muzika, poezia dhe amfiteatri; por, në hapësirën politike të ngushtë të Athinës do të ishte pakujdesi e pafalshme të shkoje në teatër pa kryer fillimisht punë në sheshin e qytetit ku vendosej politikisht për ligjet dhe aktet.
Natyrisht, mund të thuhet që hapësira politike e ngushtë në qytet-shtetet greke, e cila i dha mundësinë të shfaqej qytetarit aktiv, u favorizua edhe nga territori i vogël mbi të cilin u ngritën qytet-shtetet. Në një territor të tillë, pavarësisht teknologjisë primitive të komunikimit, arrihej që pushteti të bëhej i efektshëm në një kohë të shkurtër dhe, prandaj, të shihej edhe lidhja e ngushtë midis vendimeve të zyrtarëve dhe jetës së qytetarëve.
Shqipëria e sotme është e vendosur në një territor po aq të vogël sa ai i Athinës ose Spartës së lashtësisë. Nga ana tjetër sot mund të komunikohet shumë më lehtë dhe shumë më shpejt, madje në kohë reale. Por, pavarësisht këtyre parakushteve të favorshme, hapësira politike shqiptare është jashtëzakonisht e gjerë, ajo karakterizohet nga një ekstensitet që ia zbeh deri në çngjyrosje cilësinë politike vendimeve dhe veprimeve që ndërmerren. Në këtë hapësirë politike futen edhe veprime dhe vendime që ndodhin jashtë kufirit shtetëror të Shqipërisë, përkatësisht në Kosovë, Maqedoninë e Veriut dhe në të gjitha trojet e tjera ku jetojnë shqiptarë. Por, këto vendime dhe veprime shihen si shumë pak të lidhura me lirinë, mirëqenien dhe sigurinë e qytetarëve të Republikës së Shqipërisë. Në këtë hapësirë të gjerë ato nuk kanë intensitet dhe cilësi të mirëfilltë politike dhe prandaj nuk artikulohen politikisht.
Në këto kushte, shqiptarët këtej dhe andej kufirit nuk bashkohen për të protestuar dhe vepruar kundër vendosjes së barrikadave serbe në Kosovë, por bashkohen për të ndjekur masivisht dhe çliruar jopolitikisht tensionin në “Big Brother VIP Kosova” dhe “Big Brother VIP Shqipëria”.