Duke nisur nga ditët e fundit të vitit 2022, Sali Berisha ka nisur të përflasë gjithnjë e më shumë një dosje hipotetike që ai ka për ambasadoren e SHBA, Yuri Kim dhe për ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar, Alastair King-Smith. Sa herë që ai ka një moment në ekran, gjithnjë gjuhën e tij e vërvit rreth këtyre dy dosjeve që qendrojnë, sipas tij, në sirtarin e tij.
Arsyet pas këtyre akuzave ndaj dy ambasadorëve me dosje hipotetike korrupsioni janë tentativa propagandës që Berisha po përpiqet të instalojë në mendjen e demokratëve që e ndjekin qorrazi më shumë se sa publikut shqiptar. I dëshpëruar që në krye të SPAK nuk u zgjodh njeriu që dëshironte trekëndëshi i tranzicionit shqiptar (Berisha-Rama-Meta), në dijeni se në dosjet e SPAK janë së paku 3 dosje që hetojnë drejtë për drejtë njerëz familjarë të tij dhe aleatë politikë atij i duhet një alibi me dosje.
Në filozofinë e tij politike konfliktuale çdokush që e kërcënon atë me një dosje duhet patjetër të ketë një dosje. Kështu ai fshehu lidhjet e tij kriminale për të cilat Mbretëria e Bashkuar e akuzon, duke akuzuar ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar se ai në fakt ka lidhje kriminale. Akuzon ambasadoren e SHBA për lidhje korruptive dhe një dosje pasi SHBA e ka akuzuar atë familjarisht për korrupsion.
Kultura e tij politike dhe padyshim personale, e kanë krijuar politikanin Sai Berisha që ofendon dhe fyen këdo që është i gatshëm që të flasë të vërteta që fundja shqiptarët i kanë thënë me votë të lartë në vitin 2013. Ditën kur Berisha doli nga zyra e kryeministrit me thuajse 40 mijë vota më pak se sa doli Partia e Punës në vitin 1992, ka qenë ai moment kur ai mori mesazhin e parë se nuk është i përjetshëm. Ka qenë dita e nisjes së tatëpjetës së tij politike.
Që nga ai moment, Berisha thjesht u bë mish e thua me PD-në duke i premtuar asaj vdekje bashkë me të. Në Kuvendin e famshëm të PD-së, ku kryetar ishte Lulzim Basha, poezia që ai recitoi nga Viktor Hygo në fakt ishin vargjet solemne të një betimi që ai i dha PD dhe i mori demokratëve. Ai do ta shkretonte atë forcë politike duke vrarë dhe zhdukur politikisht këdo përpos njërit (që kuptohet sipas tij duhet të qe kryetari) dhe ai do mbetej aty me të për të shkuar deri në varr.
Nën këtë prizëm ai është i gatshëm t’i fusë në vallen e radhës demokratët që e ndjekin qorrazi. Detyrën e parë e ka me deputetët dhe deputetet që kanë shkuar tek Foltorja me shpresën se Berisha do t’i rikandidojë në vitin 2025. Disa ditë përpara fundit të vitit 2022, Berisha i dërgoi disa demokratë të verbuar për të protestuar përballë Ambasadës Amerikane. Qenë thuajse provat gjenerale të një njeriu që po eksploron çdo skemë për të kundërshtuar dosjet që vlojnë dhe që do duhet të vijnë drejt fundit këtë vit.
Me sigurinë se në PD do ketë aq të verbër sa të mbrojnë Berishën deri në vdekjen e tyre politike, ai po marshon duke kërcënuar ambasadorët e Mbretërisë së Bashkuar dhe SHBA. Nga ana tjetër po dërgon grupe njerëzish për të rrethuar ambasadën në një protestë kundër Amerikës për ta shitur edhe këtë protestë si diçka europiane. Opinionistët që kanë një urrejtje të thellë kundër SHBA, do të përshëndesin këtë lëvizje, i vetmi që mund ta kundërshtojë nga frika e represionit amerikan mund të jetë vetëm Ilir Meta që po luan lojën e kukafshehtit me hallet e Berishës dhe familjes së tij.
Prandaj në vitin 2023, duhet të presim një Berishë që sulmon dhe anatemon haptazi ambasadorët e SHBA dhe Mbretërisë së Bashkuar sikundër dhe nëse ka ndonjë vendim nga Bashkimi Europian për ta shpallur nongrata atë familjarisht, ai sërishmi do nisë të sulmojë edhe ambasadoren e BE.
Ndjekësit e tij të verbër apo hallexhinjtë që vuajnë për një karrige do të testohen vazhdimisht në besnikërinë e tyre ndaj tij. Sikundër dhe fituesit e primareve që do të duhet të lënë edhe fushatën e tyre për t’i shkuar në krah familjes dhe tarafit Berisha.