Gjykata Kushtetuese ka vendosur të kalojë për shqyrtim në seancë plenare kërkesën e deputetëve të Partisë Demokratike për anulimin e marrëveshjes për menaxhimin e parkut kombëtar të Butrintit.
Vendimi është publikuar nga deputetja e PD, Ina Zhupa, e cila ka qenë një prej zërave më të fortë kundër menaxhimit të Butrintit nga Fondacioni Shqiptaro- Amerikan i Zhvillimit për 10 vitet e ardhshme. Por fati i parkut kombëtar të Butrintit është vetëm një prej çështjeve të nxehta që Kushtetuesja pritet të shqyrtojë këtë vit.
Tani që gjykata është plotësuar me 9 anëtarë, fati i vendimeve kryesore të qeverisë dhe mazhorancës varet nga ajo.
Partia Demokratike ka kërkuar nga kjo gjykatë shfuqizimin e dy bordeve të ngritura nga qeveria pas nisjes së agresionit rus mbi Ukrainën për kontrollin e çmimit të naftës dhe çmimit të ushqimeve.
Sipas opozitës këto borde janë antikushtetuese dhe nuk kanë ndihmuar në uljen e çmimeve dhe në 31 janar gjykata ka lënë séancë për të dëgjuar argumentet pro dhe kundër tyre.
Gjyqtarët do të vendosin edhe për fatin e një prej vendimeve më të debatuar të qeverise Rama, atë për konfiskimin e kateve pa leje të pallateve. Vendimi ehte goditur në Kushtetuese nga Partia Demokratike .
Çështja e ndërtimit të portit të ri të Durrësit gjithashtu është në dorën e Kushtetueses, pasi Partia Demokratike kërkon shfuqizimin e marrëveshjes së arritur me investitorin Mohamed Alabbar.
Në 18 janar, Kushtetuesja do të vendosë edhe për fatin e mandati të ministres së jashtme Olta Xhaçka. Dy grupimet Partisë Demokratike kanë kërkuar heqjen e mandatit të deputetes për Olta Xhaçkën, pasi sipas tyre ka përfituar nga pasuria publike në momentin që bashkëshorti i saj ka marrë statusin e investitorit strategjik.