Një sinoptikë për Rama-Berisha-Metajn dhe ata përballë tyre!

NGA POLI HOXHA

Po të shikosh mënyrën se si e mbylli vitin 2022, politika e tranzicionit shqiptarë, të duket se edhe 2023 do të jetë një kopje e paraardhësit.

Edi Rama pasi i futi një ndjesë për ca “gabime të vogla”, shijoi edhe një gotë verë të shtrenjtë dhe premtoi fitore të padiskutueshme, të paktën deri në vitin 2029. E ka fjalën për fitore si ajo me deputetin e Metajt në Shkodër, film që e kemi parë në 3 dekada nga kjo klasë politike.

Në fakt betejën nuk e ka për të fituar për herë të parë Shkodrën dhe rikonfirmimin në shumicën e bashkive në vend, se kjo as i ngre dhe as i ul shqiptarët, por e ka me SPAK-un ku të gjitha rrugët e bashkëpunëtorëve që presin në radhë, të çojnë te ai. Këtë betejë le të fitojë po mundi, se Shkodra, Tirana, Durrësi etj, si me Ramën si me Berishën, njësoj si në 32 vitet që kanë ikur kanë për të qenë.

Sali Berisha nga legjendë, e prezantoi veten shqiponjë dhe tha se këtë vit fitoren e kishte të sigurt. Ndoshta e ka fjalën për ankandet ende të pambyllura me disa deputetë në grupin parlamentarë të PD-së zyrtare, por sido që të ndodhë Partia Demokratike me Berishën si litar nëpër këmbë po njësoj ka për të mbetur, e përçarë dhe e pafuqishme për të ardhur në pushtet.

Ilir Metaj hodhi valle me Bes Kallakun duke u shfaqur moskokëçarës, por kur e shihje të kujtohej direkt shprehja; “hedh valle prifti nga belaja”. Në fakt në mbrëmjen e fundvitit në Durrës meqenëse Ramën nuk e kishte aty, tentoi “të thyente në mes” tradhtarët Lefter Koka dhe Nasip Naço, por për pak desh përfundoi vetë “i thyer në mes” nga vëllai i të parit dhe nipi i të dytit.

Grupimi i PD-së që njihet dhe përkrahet nga Perëndimi, duket se i mbijetoj një kurthi ordiner në “Dreken e Mziut” të organizuar në mënyrë malinje nga Berisha, por duket qartë se jo të gjithë aty janë të qartë, për misionin historik që ju ka rënë në pjesë.

Me pak fjalë të krijohet përshtypja se ky vit që sapo ka startuar do të jetë një vijë e drejtë, e cila ka nisur që nga janari i vitit të shkuar me përpëlitje mes non gratave të vjetra dhe atyre të rejave, që priten për të gjithë eksponentët e klasës së vjetër politike dhe levave të tyre në medie, biznes dhe krim.

Rama do vazhdojë të vetmin avaz që di; do të shihet në pasqyrën e Berishës dhe Metajt dhe do tu thotë shqiptarëve se është edhe ai pak djall, por pa brirët e “kundërshtarëve”.

Berisha do vazhdojë po avazin që kemi parë pambarim; do të vijë sërish vërdallë si “Shqiponjë” por që kur shihet në pasqyrën e Perëndimit, të shumë demokratëve dhe shumë e shumë shqiptarëve, shfaqet si një korb i vjetër por plot klithma, që përpëlitet për mbijetesë mes kërmave të së shkuarës.

Kurse Ilir Metaj si ai; Meta i di vetë hallet dhe bëmat e veta!

Kjo është sinoptika e errët e vitit ku hymë, me të vetmen shpresë se një front anti-tranzicion dhe pro-perëndimor do të kristalizohet fortë dhe do të ecë përpara, pavarësisht se do të ketë rezistencën e 32 viteve pushtet e pasuri të pa matë.

Lumi nëntokësor i bllokuar nga treshja Rama-Berisha- Metaj do ta gjejë rrugën sepse Shqipëria, nuk mund të jetë përjetësisht kënetë e hajdutllëkut, krimit dhe korrupsionit të maskuara si biznes.

Lulzim Basha, Enkelejd Alibeaj, Jorida Tabaku, Gazmend Bardhi dhe mijëra të tjerë, demokratë apo jo, kanë shansin dhe viston e Perëndimit që të bëhen shtrat i tij. Nëse nuk munden, nuk duan apo nuk e kuptojnë misionin historik, le të bashkohen me Sali Berishën dhe Metajn dhe së bashku me Edi Ramën të vazhdojnë lojën 32 vjeçare të rotacionit mes vetes.

Edhe kështu do ti bënin një shërbim të madh Shqipërisë!

Komplekset që u shfaqën në “Drekën e Mziut”, le ti kenë për hesapet që mbajnë në librin e shtëpisë apo rrethit të tyre personal. Kjo loja e gënjeshtërt e shumicave, e bashkimeve hipokrite përballë Ramës duhet të marrë fund ose të çohet deri në fund.

Nuk është shumicë korrupsioni dhe krimi i organizuar në Shqipëri. Kanë para me shumicë për të blerë; kanë medie me shumicë për të mashtruar dhe krijuar mirazhet që duan; kanë oligarkët dhe krimin e organizuar të nëntokës, por jo 90% të shqiptarëve dhe as botën demokratike perëndimore me vete. Le të zgjedhin.

Ose ta ndajnë mendjen këtë vit dhe të flakin komplekset e “fitoreve” apo “humbjeve” në garë me Berishën, Ramën dhe Metajn. Do të bëhen shtrati i shumicës së shqiptarëve të ndershëm dhe planit afatgjatë por të sigurt të Perëndimit për ta kthyer Shqipërinë përfundimisht në një demokraci funksionale, apo do të bëjnë hesapet sot për sot dhe në funksion të fatit personal?!

Vetë e kanë në dorë; me ata, pa ata, më shpejt apo më vonë, ndryshimi historik do të ndodhë. Nuk ka shanse më që lumi i urrejtjes dhe mllefit të shumicës së shqiptarëve ndaj kësaj klase politike 32 vjeçare, të korruptuar të vazhdoj të rrjedh i heshtur nën tokë. Ai do ta gjejë një shtrat i cili nuk mund të jetë kurrë ai i treshes që katandisi Shqipërinë në skëterrë për shumicën e shqiptarëve dhe në parajsë të pakicës që përfaqëson Rama- Berisha- Metaj!/

Latest articles

Related articles