Aeroporti Ndërkombëtar i Damaskut është rihapur pas ndërprerjes së shkaktuar nga sulmet ajrore izraelite që vranë katër persona, tha Observatori Sirian për të Drejtat e Njeriut (SOHR). Kjo është hera e dytë në më pak se shtatë muaj që aeroporti i Damaskut, i cili është shtëpia e luftëtarëve të lidhur me Iranin dhe lëvizjen libaneze pro-iraniane Hezbollah, është jashtë shërbimit për shkak të sulmeve izraelite.
“Katër luftëtarë, duke përfshirë dy ushtarë sirianë, u vranë në bombardimet izraelite,” tha Rami Abdel Rahman, drejtor i SOHR, një organizatë me bazë në Mbretërinë e Bashkuar.
Rahman nuk specifikoi kombësinë e viktimave të tjera. Agjencia zyrtare siriane e lajmeve Sana, duke cituar një burim ushtarak, konfirmoi se dy ushtarë sirianë u vranë në një sulm në orët e para të së hënës.
“Armiku izraelit kreu agresion ajror me një breshëri raketash në aeroportin ndërkombëtar në Damask dhe rrethinat e tij” dhe shkaktoi “vdekjen e dy ushtarëve, plagosjen e dy të tjerëve dhe dëme materiale”, shkruan agjencia. Në një deklaratë disa orë pas sulmit, Ministria siriane e Transportit njoftoi se aeroporti ishte rikthyer në funksion dhe se fluturimet do të rifillonin nga ora 9 e mëngjesit me orën lokale.
SOHR tha se sulmet izraelite kishin në shënjestër “Hezbollahun dhe pozicionet pro-iraniane brenda dhe përreth aeroportit, duke përfshirë një depo armësh”. Që nga fillimi i luftës civile në Siri në vitin 2011, Izraeli ka kryer qindra sulme ajrore kundër vendit, duke synuar pozicionet e ushtrisë siriane, forcave pro-iraniane dhe Hezbollahut libanez.
Zyrtarët izraelitë nuk komentojnë sulmet e tyre në Siri, por rregullisht pohojnë se nuk do të lejojnë Iranin të zgjerojë ndikimin e tij në Siri. Më 29 dhjetor, në Institutin e Sigurisë Kombëtare të Izraelit, gjenerali izraelit Aviv Kohavi tha se “ushtria që Irani po përpiqet të krijojë në të gjithë Lindjen e Mesme” kërcënon Izraelin dhe botën.