Tablo e vitit 2022 në PD – Nga Indrit Vokshi

Viti 2022 nisi me betimet e Sali Berishës se do të tërheqë zvarrë demokratët e selisë.

Paralel me përbetimet u krye edhe blindimi i selisë, kjo për të pamundësuar viktimat.

Synonte viktima që mandej mbi viktima ta ndërtonte politikën e tij sipas të njejtit stil të deritanishëm; politikë mbi gjakun e Arben Brocit, politikë mbi gjakun e Azem Hajdarit. Njëlloj si Edi Rama i cili bënte politikë mbi gjakun e 21 janarit.

Rrjedhin nga e njejta gurrë, nga i njejti mentalitet e realitet, rrjedhin nga Partia e Punës; e ndërtojnë politikën mbi gjakun, mbi dëshmorët dhe mbi zinë. Dëshmorë ka Atdheu, jo partitë. Mirëpo këta vetëm ketë metodologji pëlqejnë, politikën e ndërtuar mbi hasmërinë për motive jopolitike.

Në media deklaronte se do i nxjerrë me pekule, ndërsa në underground i egërsoi ndjekësit të cilët betoheshin për tërheqje zvarrë.

Nuk mundi ta zaptojë selinë. I gënjeu e i manipuloi njerëzit duke iu ngulur në kokë se selia iu hodhi gaz. Në realitet gazin ua hodhi policia, jo selia. Selia vetë u mbyt me gaz.

Në ketë pikë hyri në lojë politika e emocioneve. Nëse shfletojmë librin e Dominique Moisi “Gjeopolitika e emocioneve”, kuptojmë shumëçka.

Në politikën e emocionave nuk ka rëndësi kush e hodhi gazin në të vërtet, nevoja e propagandës dhe e emocioneve e kërkonte që gazin ta kishte hedhur selia. Prandaj u tha se gazin e hodhi selia. Politika e emocioneve e cakton armikun dhe autorin sipas nevojës së momentit, jo sipas të vërtetës.

Dikur përshembull u caktua Fatos Nano si vrasës i Azem Hajdarit. Jo se e vrau Nano, por nevoja e Sali Berishës dhe e bashkëkomplotistëve të tij në PS, e kërkonte që Azemin ta kishte vrarë Nano. Prandaj caktuan Nanon si autor të vrasjes. Pastaj në 2002 e 2007 e mohuan se e vrau Nano, sepse nevoja e Sali Berishës e kërkonte që Azemin të mos e kishte vrarë Fatos Nano. E hoqën Nanon si autor të vrasjes.

Në politikën e emocioneve nuk ka rëndësi e vërteta siç është, ka rëndësi e vërteta siç do duhej të kishte qenë.

Kështu mbi ketë mentalitet u caktua se me 8 janar ai nuk përdori dhunë dhe ishte paqësor, megjithëse e gjithë bota e pa të filmuar duke organizuar dhe komanduar dhunën. U caktua se gazin ua hodhi selia dhe jo policia, megjithëse selia nuk pati gaz, pati vetëm një spray nga ai që përdoret kundër kafshëve të egra.

Politikani Sali Berisha i cili deklaroi se vetë “anëtarësia” i zbaton vendimet e veta, përfundoi duke hyrë në seli me vendimin e Agron Zhukrit. Në asnjë moment nuk u dha njerëzve llogari dhe përgjigjje: nëse në seli hyn me vendim të gjykatës, pse tentove të hysh me dhunë? Pse nuk prite vendimin e gjykatës? A synove viktima? A synove konflikt e polarizim për llogari elektorale? A vure në rrezik jetët e demokratëve për qëllimet e tua? As sot nuk jep përgjigjje për këto pyetje.

Dështoi të hynte në seli dhe pasi u diskretitua si dirigjent i dhunës, komplotoi me Ilir Metën për të caktuar zgjedhjet në 6 bashki. Përdori Ilir Metën kundër Partisë Demokratike.

Humbi thellë përballë Edi Ramës por triumfoi mbi Lulzim Bashën dhe Gazment Bardhin të cilët ishin të copëtuar nga goditjet dhe të delegjitimuar nga humbja e 25 prillit.

Iu tha njerëzve; unë jam shumica. Shumica e pakicës. I vetmi njeri i cili mburret se është shumica e një pakice. Vota, vota, vota. I vetmi njeri që mburret me votën por nuk votohet më në Shqipëri; është përzënë në 2013 me 996.000 vota kundër tij, 50.000 vota më pak se Ramiz Alia në 1992. Por vazhdon mburret me votën, si për të na vërtetuar atë shprehjen; njeriu ka prirjen të theksojë atë çfarë i mungon.

Rezistenca e PD kundër dhunës së tij e detyroi të nxjerrë nga goja lloj-lloj trillimesh dhe manipulimesh dhe ai vetë me gojën e vet e delegjitimoi veten, shkatërroi figurën e tij; nga lider historik përbashkues u zvogëlua në palë të rëndomtë që organizon dhunë politike brenda partisë. Ai vrau politikisht Sali Berishën e mëparshëm.

Nga ana tjetër Basha konsolidonte imazhin e tij si barcaletë dhe meme.

Deklaroi se nuk ka humbur asnjë palë zgjedhje. Edhe Lincolni ka humbur 5 palë zgjedhje, vetëm Basha nuk kishte humbur asnjë palë; ngjashmëri e frikshme me Saliun i cili asnjëherë nuk ka pranuar se ka humbur zgjedhje, gjithmonë na del se ia kanë vjedhur e manipuluar – stili i Saliut.

Gjithkund ku konkurohet është krejt normale të humbësh zgjedhjet. Udhëheqësit shqiptarë nuk pranojnë se i kanë humbur zgjedhjet sepse po pranuan se i kanë humbur u duhet të dorëhiqen. Dhe nuk duan të dorëhiqen.

Basha u bë viktima e vendimeve të veta: duke imituar skemën e caktimit të budallenjve dhe mediokërve si deputetë, me qëllim që të mos kenë personalitet politik e t’i ketë ai nën këmbë, mbeti qyqe vetëm. Nuk ka menduar se po caktove budallenj e mediokër, kur në derë të troket halli, nuk ka kush e mbron kështjellën e përbashkët, pasi ata nuk kanë kapacitet për të mbrojtur asgjë. Minus i madh në lidership. Prandaj ndodhi braktisja e merituar.

Deputetët ndejtën të heshtur, kinse duke menduar për hallin e demokratëve dhe për “bazën” por në të vërtet ishin duke menduar dhe duke llogaritur karrierën dhe mandatin tjetër, për vete.

Po përpiqeshin të kuptonin kush do e ketë të drejtën për t’i caktuar kandidatët në zgjedhjet e ardhshme në mënyrë që të rreshtoheshin me të. Disa prej tyre analizuan se e ardhmja personale është me Sali Berishën dhe u nisën, të fyer e të poshtëruar nga Sali Berisha dhe lukunia e tij, ata u ulën në tryezë me të, krejt të nënshtruar, krejt të dorëzuar, duke shpresuar në mëshirën e tij, duke imagjinuar sikur ai i ka falur vërtet.

Sali Berisha u shpall nongrata edhe nga Britania e Madhe. Edhe në ketë rast doli dhe akuzoi për korrupsion ministrinë e brendshme e të jashtme të Britanisë – ata janë të mashtruar e të korruptuar. Të gjithë janë të korruptuar, Amerika, Britania, Gjermania, vetëm ai dhe tarafi i tij janë të pastër e të pakorruptuar.

Në vitin 2022 godina e selisë së PD u transformua dhe u përshtat si shpellë e Al-Kaeda prej të cilës çdo javë në konferencë me median, Sali Berisha doli dhe akuzoi për korrupsion, shtypje, kolonializëm dhe guvernatorizëm, shtetet perendimore Amerikë e Britani.

Në 2022 u kuptua se për çfarë i duhej partia; i duhej si strukturë dhe infrastrukturë për ta përdorur si brez me thasë rëre në llogore. U kuptua se rithemelimet, demokracia, vota, konkurimi e merita, janë fasada, janë gënjeshtra të mëdha.

Në primaret e tij, qindra e qindra vetëve iu fshi emri dhe nuk u lejuan të votojnë, nga frika se vota e tyre nuk do të hidhej sipas orientimit. Në primaret e tij, vota u komandua e “u orientua nga lart” dhe kandidatët u zhgënjyen aq shumë. Megjithatë, nuk guxojnë të flasin sepse turmat e Sali Berishës i linçojnë e i sulmojnë me agresivitet.

Nê 2022 vazhdoi rrëfenja mashtruese se kush nuk i nënshtrohet Sali Berishës është tradhëtar dhe i shërben Edi Ramës. Pa guxuar të pyesin veten: Një opozitë nongrata, a i shërben Edi Ramës? Ska dyshim se po. Edi Rama as e ka ëndërruar atë fat, të ketë përballë një opozitë të skeduar nongrata dhe kundërshtare të ShBA.

Në 2022 vazhdoi manipulimi, pa guxuar të pyesin: Pse Sali Berisha nuk i mbështet kandidatët e PD? Nuk i mbështet sepse ai synon të defaktorizojë PD-në dhe të fuqizojë Shtëpinë e Lirisë. Sepse PD nuk e mbron ndërsa LSI e mbron. Sikurse deklaroi në EuroNews Albania para se të përjashtohej nga grupi parlamentar; një parti e cila nuk mbron dinjitetin tim, nuk meriton të ekzistojë.

Dhe kështu u mbyll 2022, me shfaqjen e Sali Berishës tek televizionet e oligarkëve të tij. Sepse vërtetë kemi Bajram e Pashkë por oligarkët i kanë bashkë.

Latest articles

Related articles