nga Desada Metaj
Tirana e dy ditëve të fundit të kujton dhjetorin e vitit 2020. Gurë, gaz lotsjellës, xhama të thyer, biznese të dëmtuara, të rinj që përleshen me policinë dhe një qeveri që pret të kalojë stuhia. Edhe atëherë revolta nuk kishte lindur në zyrat e opozitës. Kishte lindur nga zemërimi.
Në dhjetor 2020, vrasja e 25-vjeçarit Klodian Rasha nga një efektiv policie nxori mijëra të rinj në rrugë. Shqipëria ishte nën kufizimet e pandemisë, të cilat qeveria i përdori edhe si argument kundër grumbullimeve. Dy ditë pas vrasjes, ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj dha dorëheqjen. Protestat vazhduan edhe për disa ditë, por gradualisht u zbehën. Rama sakrifikoi ministrin, fitoi kohë dhe qeveria e kaloi krizën.
Gati gjashtë vjet më vonë, skena është e ngjashme, por zemërimi ka shumë më tepër se një shkak.
Këta studentë janë rritur me Edi Ramën kryeministër. Kanë dëgjuar premtimet për arsimin, universitetet, meritokracinë, Shqipërinë europiane dhe të ardhmen që i pret këtu. Kanë parë edhe një realitet tjetër, ku diploma nuk garanton punë, lidhjet vlejnë shpesh më shumë se aftësitë dhe largimi nga vendi mbetet një nga perspektivat më të besueshme për një të ri.
Ndërkohë është rritur edhe zullumi i pushtetit.
Në vitin 2020, SPAK ishte ende një institucion i ri. Sot kryetari socialist i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, është përballë drejtësisë. Ish-zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj është në kërkim, ndërsa hetimet kanë prekur edhe figura të tjera të rëndësishme të qeverisë, përfshirë Belinda Ballukun. Përgjegjësia penale u takon gjykatave ta përcaktojnë, por përgjegjësia politike nuk mund të shtyhet pafundësisht në pritje të vendimeve gjyqësore.
Për trembëdhjetë vjet, Rama ka ndërtuar një sistem ku sukseset i përkasin atij, ndërsa skandalet bashkëpunëtorëve. Kur një ministër inauguron një rrugë, është vizioni i kryeministrit. Kur një ministër përfundon në SPAK, është përgjegjësi individuale. Kur një kryebashkiak fiton zgjedhjet, është triumf i Partisë Socialiste. Kur i njëjti kryebashkiak përballet me akuza për korrupsion, kryeministri kujtohet se drejtësia është e pavarur.
Kjo formulë ka funksionuar për vite me radhë. Por tani, bashkë me skandalet, është konsumuar edhe besimi se gjithçka mund të zgjidhet duke ndërruar emrat në kabinet.
Ndërsa Tirana digjet për të dytën ditë radhazi, shteti duket se ka zgjedhur të bëjë spektatorin. Protestuesit sulmojnë institucione, digjen pemë, shkatërrohen biznese, ndërsa drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Skënder Hita, bën xhiro në bulevard, në kohën kur pranë Piramidës digjen biznese. Një polici që di të ndërhyjë me gaz lotsjellës dhe forcë ndaj të rinjve, por që nuk arrin të mbrojë as godinat shtetërore dhe as pronën e qytetarëve.
Dhe këtu lind një dyshim që nuk mund të shpërfillet: a po lejohet që dhuna të marrë këto përmasa sepse pamjet e kaosit i shërbejnë politikisht qeverisë?
Për Ramën, një Tiranë në flakë mund të vlejë më shumë se dhjetë deklarata politike. Një qytetar që deri dje ishte i revoltuar nga korrupsioni, sot sheh biznesin e fqinjit të shkatërrohet dhe fillon të shqetësohet për sigurinë e vet. Debati zhvendoset nga përgjegjësia e qeverisë te dhuna e protestuesve. Nga dosjet e SPAK te xhamat e thyer. Dhe pushteti që duhet të japë llogari për dështimet e tij, mund të shfaqet papritur si garancia e vetme kundër rrëmujës.
Natyrisht, djegia e bizneseve dhe sulmet ndaj policisë nuk mund të justifikohen. Por as dështimi i policisë për të mbrojtur qytetin nuk mund të kalojë si një hollësi pa rëndësi. Sidomos kur i njëjti shtet që nuk arrin të ndalojë shkatërrimet, demonstron një vendosmëri të jashtëzakonshme për të shpërndarë protestuesit.
Rama e njeh mirë këtë lojë. Frika mund ta largojë qytetarin nga protesta më shpejt se çdo fjalim qeveritar. Arrestimet, lodhja dhe dëmet materiale mund të bëjnë pjesën tjetër. Në fund, nëse situata e kërkon, gjendet edhe ndonjë ministër për t’u sakrifikuar.
Por këtë herë llogaria mund të mos dalë aq e thjeshtë.
Pas trembëdhjetë vjetësh në pushtet, Rama nuk përballet me zemërimin për një vendim të gabuar apo një ngjarje të vetme. Përballet me pasojat e një qeverisjeje që ka prodhuar skandale, zhgënjim dhe një brez të rinjsh që nuk e shohin më të ardhmen e tyre në Shqipëri.
Ai mund të shpresojë se pamjet e kaosit do t’i trembin qytetarët dhe do t’i largojnë nga rruga. Por mund të ketë bërë edhe një llogari të gabuar. Sepse këta të rinj nuk kanë dalë në rrugë që Rama t’u hedhë si kockë ndonjë ministër dhe të vazhdojë të qeverisë sikur nuk ka ndodhur asgjë. Pas trembëdhjetë vjetësh, problemi nuk është më se cili ministër duhet të ikë, por përse ai që i ka zgjedhur të gjithë vazhdon të sillet sikur nuk ka asnjë përgjegjësi.
Dhe ndoshta kjo është ajo që Rama duhet t’i trembet më shumë se gurëve dhe molotovëve: një brezi që nuk ka më frikë prej tij.



