Dosja Revanshi, gjykata jep vendimet për Durim Bamin dhe 6 të tjerë

spot_img
Advertisements

Tre muaj pas pretencës së kërkuar nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, GJKKO ka vendosur të shpallë vendimin këtë të martë sa i përket një prej fraksioneve të “Revanshit”, dosje në të cilën bën pjesë Durim Bami dhe gjashtë persona të tjerë.

Burime për mediat konfirmojnë se ndryshe nga sa SPAK kishte kërkuar për të “fortin e Niklës”, Durim Bami do të vuajë 10.8 vite burg sa i përket kësaj dosje. Vendimi është dhënë po ashtu edhe për pjesëtarët e tjerë, mes tyre dhe Aldo Avdyli dhe Henerigert Mitri.

Sa i përket Durim Bamit GJKKO e ka shpallur fajtor për sigurimin e kushteve dhe mjeteve materiale për kryerjen e një vrasjeje, kultivimin e bimëve narkotike si dhe krijimin dhe drejtimin e një grupi të strukturuar kriminal. Ndërkohë për dy raste të tjera, ku akuzohej për sigurimin e kushteve për kryerjen e vrasjes, gjykata e ka shpallur të pafajshëm.

Oltion Zefi është dënuar me 10 vite burg. Ai akuzohet për trafikim të narkotikëve dhe organizim të grupit të strukturuar kriminal. Gjykata ka vendosur që dënimin ta vuajë në një institucion të ekzekutimit të vendimeve penale të sigurisë së lartë, ndërsa masa do të ekzekutohet pas arrestimit të tij.

Edson Jozwik, i njohur edhe me emrat Edson Pjetri dhe Edmir Pjetri, është dënuar me 8 vite burgim. Ai është shpallur fajtor për trafikim të narkotikëve dhe pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal.

Për Altin Morinën, gjykata ka caktuar dënimin me 6 vite e 8 muaj burgim. Morina është shpallur fajtor për kultivim të bimëve narkotike, pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal dhe mbajtje pa leje të armëve. Për akuzën e mbajtjes së municioneve luftarake, gjykata ka vendosur pushimin e çështjes.

Ndërkohë, Henerigert Mitri është dënuar me 5 vite e 4 muaj burgim. Krahas akuzave për kultivim të bimëve narkotike dhe pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal, Mitri është shpallur fajtor edhe për veprën penale të shpërdorimit të detyrës.

Me nga 4 vite e 8 muaj burgim janë dënuar Jozi Kraja dhe Aldo Avdyli, i njohur edhe me aliasin Elidon Avdyli. Të dy janë shpallur fajtorë për sigurimin e kushteve dhe mjeteve materiale për kryerjen e një vrasjeje si dhe për pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal.

SPAK kërkoi për Aldo Avdylin: 10 vite burg, 6.8 me gjykim të shkurtuar-GJKKO e dënoi me 4 vite e 8 muaj burg

SPAK kërkoi për Edson Jozwik: 15 vite burg, 10 vite me gjykim të shkurtuar-GJKKO e dënoi me 4 vite burg

SPAK këroi për Oltion Zefin: 20 vite burg, 13.4 vite me gjykim të shkurtuar-GJKKO e dënoi me 10 vite burg

SPAK kërkoi për Henerigert Mitrin: 9 vite burg, 6 vite burg me gjykim të shkurtuar-GJKKO e dënoi me 5 vite e 4 muaj burg

SPAK kërkoi për Altin Morinan: 13.6 vite burg, 9 vite me gjykim të shkurtuar-GJKKO e dënoi me 6 vite e 8 muaj burg

SPAK kërkoi për Jozi Krajan: 10 vite burg, 6.8 me gjykim të shkurtuar-GJKKO e dënoi me 4 vite e 8 muaj burg

SPAK kërkoi për Durim Bamin: 21 vite burg, 14 vite me gjykim të shkurtuar-GJKKO e dënoi me 10 vite e 8 muaj burg

Kujtojmë se dosja “Revanshi” konsiderohet një nga hetimet më të rëndësishme të SPAK-ut, pasi përfshin një sërë episodesh dhe persona të dyshuar për përfshirje në veprimtari të rënda kriminale, mes tyre vrasje, rrëmbime dhe planifikim atentatesh.

Në të përfshihen 12 ngjarje kriminale të cilat kanë ndodhur, janë përgatitur ose kanë mbetur në tentativë gjatë vitit 2020. Hetimi ka zbardhur aktivitetin e 7 grupeve kriminale në qytete të ndryshme të vendit, mes tyre Lezhë, Durrës, Krujë, Tiranë, Vlorë dhe Burrel.

Pjesë e këtyre 7 grupeve kriminale, veç njerëzve të botës së krimit, u evidentuan dhe emra zyrtarësh policorë, si ish-drejtori i Policisë së Lezhës, Henerigert Mitri apo dhe politikanë si ish-deputeti socialist, Arben Ndoka, e vëllai i deputetit Eduard Ndreca, Armando Ndreca.

Në maj të vitit 2024, me urdhër të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ranë në pranga 20 persona, 14 prej tyre në Shqipëri dhe 6 të tjerë jashtë vendit, 2 në Itali, 1 në Gjermani, 1 në Spanjë dhe 2 në Belgjikë.

Ky megaoperacion aso kohe erdhi pas zbërthimit të komunikimeve në aplikacionet sekrete “Sky” dhe “EncroChat”.

Falë zbërthimit të këtyre bisedave u bë i mundur edhe zbulimi i aleancave dhe planeve sekrete të grupit të Ervis Martnajt, i cili në aleancë me grupin e drejtuar nga ish-deputeti socialist, Arben Ndoka rekrutonin vrasës me pagesë të cilët vepronin kryesisht në zonën e Fushë-Krujës dhe në zonën e Burrelit.

SPAK bëri me dije se ish-deputeti socialist drejtonte një grup të fuqishëm kriminal në zonën e Lezhës dhe kishte lidhur aleancë me Ervis Martinaj për vrarë të fortin e Nikës, Durim Bamin dhe Fatmir Hysenin, i konsideruar një ndër vrasësit më të rrezikshëm me pagesë nga Vlora dhe i njohur me nofkën “Doqja”.

“Në qendër të këtyre grupeve kriminale është grupi kriminal i krijuar dhe drejtuar nga shtetasi Ervis Martinaj, i cili është në aleancë me grupin kriminal që vepronte në qytetin e Lezhës të drejtuar nga shtetasi Arben Ndoka. Këta dy grupe kriminale, për arritjen e qëllimit kriminal kanë kontaktuar anëtarë të një grupi tjetër kriminal i cili vepronte në qytetin e Durrësit.

Gjithashtu, të dy këto grupe kriminale  kanë rekrutuar vrasës me pagesë të cilët veprojnë kryesisht në zonën e Fushë – Krujës dhe në zonën e Burrelit. Po kështu për të realizuar qëllimet kriminale Ervis Martinaj, kontakton shtetasin Viktor Imerin, i cili sapo kishte përfunduar vuajtjen e dënimit me burgim i kërkon vrasjen e shtetasit Fatmir Hyseni.

Në ndihmë të grupeve kriminale të drejtuara Ervis Martinaj dhe Arben Ndoka, vijnë edhe shtetasit Emiljano Shullazi dhe A.Avdyli, të cilët edhe pse në kushtet e paraburgimit ndihmojnë Ervis Martinaj dhe Arben Ndokën, në realizimin e qëllimit kriminal që është vrasja e Durim Bami, etj.

Emiljano Shullazi kontakton me të hetuarin Tesilvan Basho, të cilit i kërkon vrasjen e Durim Bamit. Po kështu Emiljano Shullazi, siguron informacione për lëvizjet e Durim Bamit dhe këto informacione i’a vë në dispozicion shtetasit Arben Ndoka”, thuhej në komunikatën zyrtare të Prokurorisë së Posaçme.

Ndërkohë, organi i akuzës zbardhi dhe aktivitetin kriminal të grupit të Niklës, që drejtohej pikërisht nga Durim Bami dhe pas lidhjes së aleancës me “Klanin Duka”, u interesua veçanërisht për elemiminimin e Ervis Martinaj, Arben Ndokës dhe njerëzve të tyre.

“Nga ana tjetër në zonën e Fushë Krujës spikat grupi kriminal i drejtuar nga shtetasi Durim Bami, i cili shfaqet në konflikt të hapur me grupet kriminale të drejtuara nga shtetasit Ervis Martinaj dhe Arben Ndoka.

Grup kriminal i drejtuar nga Durim Bami, bën aleancë me një grup kundërshtar të shtetasit Ervis Martinaj, dhe që drejtohet nga shtetasit Leonard Duka dhe Fatmir Hyseni, persona me precedentë të theksuar kriminal me qëllim vrasjen e Ervis Martinaj dhe Arben Ndoka, dhe anëtarëve të tjerë të këtyre grupeve kriminale”, thuhej në njoftimin zyrtar të SPAK.

Ndërkohë sa i përket ish-Policit të Qarkut të Lezhës, u njoftua se ai drejtonte aktivitetin kriminal të kultivimit të narkotikëve në Lezhë sepse ishte kryepolic i qarkut, si dhe në bashkëpunim me shtetasin e skeduar për disa ngjarje kriminale Preng Gjini, lejonte lojërat e fatit.

Në kuadër të këtij megaoperacioni u sekuestruan pasuri me vlerë mbi 4.5 milion euro, përfshirë para cash, ora të shtrenjta, makinat të blinduara dhe florinj

spot_img

Latest articles

Related articles