nga Indrit Vokshi
Kur me 12 shtator 1998 u vra Azem Hajdari, pati rënë në shpi tonë si tip zie, heshtje! A thua se e kishim diçka!
Atë vit baba im ishte hequr nga puna në Drejtorinë Qëndrore të SHIK te Shkolla e Bashkuar natyrshëm si njeri i Berishës e Gazidedes. Ndoshta natyrshëm pavetëdijshëm, në subkoshiencë kjo përfytyrohej si vazhdim i një revanshi e hakmarrjeje, pa ditur ta përkufizonim aq filozofikisht se çfarë ishte. Fatos Nano u bë njeriu më i urryer. Edhe fëmijët 6 apo 8 vjeç rrinin te shkallët e pallatit dhe thonin “Fatos Nano kriminel”.
Politika për 5 vjet rresht u ngrit mbi kufomën e Azemit. Ai trup i vdekur u bë gjeneratori i fuqishëm që i jepte energji urrejtjes. Deri në ditën kur Fatos Nano shkoi në festën e themelimit të PD-së, diku kah dhjetori 2003. Aty toku gotat me Sali Berishën dhe u duk sikur bajraktari e fali gjakun e Azemit. Ose thënë ndryshe e shiti gjakun me lek, sepse me pakt iu dha prokurori, presidenti, kreu i KLSH etj.
Azemi nuk ishte ndonjë njeri me intelekt të spikatur dhe i aftë për të organizuar politikë. Ishte më shumë i vrullshëm. Mbante me vete gangsterët e viteve 1990, më shumë tip kaubojsi, nën kultin e të fortit; edhe bustin në qytetin Studenti ia kanë bërë me muskuj. Tip Mic Sokoli të cilit i duhej një Ymer Prizren për ta udhëzuar e për tia orientuar energjinë. Shkoi u bë edhe mason me imagjinaten se përmes asaj lozhe do të arrinte shumë e do të ishte i mbrojtur. Edhe lapidarin aty krah Toptanit deri vonë e ka pasur me konpas masonik. Mirëpo Berisha nuk i dha asnjëherë asnjë post ministri, ia mohoi pushtetin real ekzekutiv. Madje e shpalli spiun të Sigurimit të Shtetit; zyrtarisht në gazetën RD.
Ditën kur u vra Azemi u bë i vlefshëm e i domosdoshëm, sepse trupi i tij i vdekur vlente më shumë sesa i gjallë. Vrasja duhej të ishte patjetër politike sepse si vrasje jo politike nuk vlente. Vetë në tavolina ata e thonin se u vra për trafik armësh, ose ngatërresa në gjakmarrjet e Tropojës, vetë të njejtët persona publikisht deklaronin se ai u vra qëllimisht për të frikësuar Sali Berishën në misionin e tij për votën e lirë. Pra edhe vrasja duhej të vendosej në shërbim të misionit të këtij njeriu për demokraci. Një përdorim i sofistikuar dhe i pacipë.
Sot mbahet kulti i Azemit. Përdoret e shtrydhet deri në pikën e fundit. Siç e shoh unë Azemi ishte një djalë nga familje hallaxhie si shumica e shqiptarëve, familje e pagëzuar në komuniste për të pasur ndonjë mundësi më shumë në jetë, si psh për të sjellë djalin në shkollë në Tiranë. Instikt mbijetese e shpëtimi.
Kishte atë vrullin micsikols të tropojanit, vrull e temperament të cili i duhet gjetur çelësi për ta administruar nga një mjeshtër më i madh, se përndryshe shkon dëm. Me shkujdesje të papërgjegjshme ndaj jetës, tipike për tipat karakterialë e sanguinë të cilët kanë një virtyt burri por e kanë të pagdhendur e të palatuar e që shpesh i merr në qafë; sepse mikrobota rapsodike e Krasniqës është e papërgatitur, e pakolauduar dhe mbytet shpejt në botën e intrigës së kryeqytetit i cili kishte një shekull duke vrarë e dorëzuar për tu vrarë politikanë. Ishte flijimi i takimit të mikribotës rapsodike me qytetin. Edhe bajraktari i fisit të tij Binak Alia kur u thirr në Prizren, aty ishte çerdhja e agallarëve dhe bejlerëve të stazhonuar me intrigë dhe ia patën nxjerrë kafen me helm. E pat shpëtuar intriganti Sulejman Vokshi i cili iu prishi mbledhjen duke thënë “T’hekim dor’ prej deres të Ali Osmanit” dhe e morën e çuan tek prifti i Zymit i cili ishte edhe mjek.
Azemin nuk pati kush ta shpëtojë. Bajraktati i vet i cili supozohej ta bënte, kishte kryer shkollën e jetës duke ndejtur me Hysni Kapon, me fëmijët e Enverit, kishte mësuar se partia ska nevojë për probleme të brendshme. Nuk pati nevojë as ta vriste, as ta shtynte për tu vrarë, asgjë të tillë; ai dinte se algoritmi i kohës këta tipa i seleksionon vetë, mjafton të mos i mbrosh dhe t’i lësh në rrjedhën e tyre natyrore.
Sot Azemi prej varrit vazhdon i shërben tregimit se shpia politike e bajraktarit ka derdhur gjak për demokraci. Sepse as e pyet kush, as i merr leje kush. Ska vend për ndjenjë tjetër veçse të të vijë gjynah për tragjedinë për së gjalli të një brezi i cili u dogj duke u mahnitur prej zjarrit sepse për 5 dekada nuk kishte parë zjarr me sy.



