Dritëhijet e projektligjit për Agjencinë Shtetërore të Pronës | ANALIZA e Zef Preçi

spot_img
Advertisements

Nga Zef Preçi

Projektligji “Për Agjencinë Shtetërore të Pronës”, aktualisht në konsultim publik, synon të bashkojë funksione që sot ushtrohen nga Agjencia Shtetërore e Kadastrës dhe Agjencia e Trajtimit të Pronave. Në parim, një reformë e tillë mund të ketë kuptim: mund të ulë fragmentimin institucional, të krijojë një pikë më të qartë përgjegjësie dhe të mundësojë përdorimin e përbashkët të të dhënave për regjistrimin e pronës, kthimin e saj, kompensimin dhe administrimin e pronës shtetërore. Por thelbi i debatit nuk është thjesht nëse dy institucione duhet të bashkohen. Pyetja kryesore është nëse bashkimi prodhon më shumë siguri juridike, më pak korrupsion, shërbime më të shpejta dhe respekt më të madh për të drejtat e pronësisë. Pikërisht këtu projektligji mbetet i paplotë.

Raportet e Komisionit Evropian, OECD/SIGMA-s dhe Bankës Botërore kanë theksuar vazhdimisht se problemi i pronës në Shqipëri nuk është vetëm institucional. Ai lidhet me regjistrimin e papërfunduar, me cilësinë e pamjaftueshme të të dhënave kadastrale, me procedurat e zgjatura të kompensimit, me mungesën e transparencës dhe me dobësitë në integritetin e administratës së pronës.

Sipas Raportit të Komisionit Evropian për Shqipërinë për vitin 2025, ushtrimi efektiv i të drejtave të pronës mbetet ende i kufizuar. Rreth 80% e të dhënave të regjistruara më parë rezultojnë të paverifikuara, ndërsa digjitalizimi i titujve, dokumenteve dhe hartave kadastrale është ende i pjesshëm. Në këto kushte, ndryshimi i emrit apo bashkimi i institucioneve nuk mjafton. Ligji duhet të vendosë objektiva të qarta, afate, tregues matës të performancës dhe detyrime publike raportimi.

Autonomi formale, kontroll i centralizuar

Projektligji e paraqet Agjencinë Shtetërore të Pronës si një institucion me autonomi funksionale dhe profesionale. Megjithatë, autonomia e deklaruar duket e kufizuar nga varësia e drejtpërdrejtë në zinxhirin ekzekutiv, nga mënyra e emërimit të drejtuesve dhe nga përqendrimi i kompetencave në një strukturë të vetme.

Problemi nuk është se shteti kërkon të mbajë përgjegjësi për sektorin e pronës. Problemi lind kur mbikëqyrja politike mund të kalojë në ndikim mbi vendimmarrje individuale që lidhen me regjistrimin e titujve, kompensimin, administrimin e pronës publike ose shqyrtimin e ankesave.

Parimet e OECD/SIGMA-s kërkojnë që krijimi ose bashkimi i agjencive të mbështetet në analizë paraprake të nevojës, kostove, kapaciteteve njerëzore dhe alternativave institucionale. Projektligji nuk e bën të qartë nëse një analizë e tillë është kryer dhe, më e rëndësishmja, nuk përcakton mjaftueshëm objektivat e agjencisë, treguesit e suksesit, ciklin e raportimit dhe kufijtë e ndërhyrjes së autoriteteve mbikëqyrëse.

Këshilli drejtues mund të zgjerojë përfaqësimin institucional, por ai nuk është garanci më vete për qeverisje të mirë. Ligji duhet të përcaktojë mandatet e anëtarëve, kriteret profesionale, rastet e shkarkimit, rregullat e papajtueshmërisë, transparencën e mbledhjeve dhe përgjegjësinë për rezultatet e institucionit.

Rreziku i përqendrimit të roleve

Çështja më delikate lidhet me përqendrimin e funksioneve. Një agjenci e vetme mund të administrojë pronën shtetërore, të regjistrojë titujt, të trajtojë çështje të kompensimit, të shqyrtojë ankime administrative dhe të ushtrojë kontroll mbi procedurat e brendshme. Kjo mund të krijojë efikasitet administrativ, por krijon gjithashtu konflikt të mundshëm të roleve. Në rast se e njëjta strukturë administron pronën e shtetit, regjistron titullin, vendos për kompensimin dhe shqyrton ankimet, qytetari mund të përballet me një institucion që është njëkohësisht palë e interesuar, vendimmarrës dhe kontrollues i vetvetes.

Sektori i pronës dhe i kadastrës është identifikuar prej kohësh si veçanërisht i ekspozuar ndaj korrupsionit dhe kapjes së shtetit. Raportet e Komisionit Evropian kanë kërkuar forcimin e integritetit institucional, ndërsa dokumentet e monitorimit antikorrupsion kanë evidentuar probleme të rëndësishme në zbatimin e masave parandaluese në këtë sektor.

Për këtë arsye, projektligji duhet të vendosë ndarje të qartë funksionale ndërmjet administrimit apo disponimit të pronës shtetërore, regjistrimit të titujve, trajtimit të kompensimit, shqyrtimit të ankimeve dhe auditimit. Duhet të parashikohen detyrime të qarta për deklarimin e konfliktit të interesit, përjashtimin nga vendimmarrja kur ekziston konflikt, regjistrimin e gjurmës së vendimeve, auditimin e pavarur dhe mbrojtjen e sinjalizuesve.

Digjitalizim me verifikim, jo vetëm skanim

Bashkimi i arkivave dhe i sistemeve elektronike mund të jetë një nga anët pozitive të reformës. Megjithatë, digjitalizimi nuk duhet të ngatërrohet me thjesht transferimin e dokumenteve në format elektronik. Banka Botërore ka vënë në dukje se integrimi i sistemeve të pronës ka hasur probleme të përputhshmërisë së të dhënave dhe se digjitalizimi pa verifikim në terren nuk garanton cilësi më të lartë të regjistrave. Nëse të dhënat e pasakta thjesht kalojnë nga një arkiv fizik në një sistem elektronik, problemi nuk zgjidhet; ai mund të bëhet më i shpejtë, më i gjerë dhe më i vështirë për t’u korrigjuar.

Ligji duhet të kërkojë që regjistri unik elektronik të ndërtohet mbi të dhëna të verifikuara, me identifikim unik të pasurisë, standarde interoperabiliteti, gjurmë të çdo ndërhyrjeje në regjistër, kopje rezervë, auditim sigurie dhe procedura të kontrolluara për korrigjimin e gabimeve. Po aq e rëndësishme është që qytetarët pa aftësi ose mjete digjitale të mos përjashtohen nga shërbimet.

Kompensimi, ankimi dhe siguria juridike

Projektligji krijon një drejtori të posaçme për çështjet e kthimit dhe kompensimit të pronës. Kjo mund të jetë pozitive, por nuk mjafton pa një garanci të qartë financiare, procedurale dhe institucionale. Raporti i Komisionit Evropian për vitin 2025 evidenton se, nga më shumë se 26 mijë kërkesa pranë ATP-së, janë njohur rreth 19 mijë të drejta, por vetëm rreth 800 vendime janë ekzekutuar. Kjo tregon se hendeku kryesor nuk është vetëm njohja e së drejtës, por zbatimi real i saj. Ligji duhet të garantojë që fondi i kompensimit të jetë i ndarë nga shpenzimet administrative të agjencisë; që vendimet përfundimtare të mos rihapen apo zvarriten për shkak të riorganizimit; që të publikohen të dhëna mbi stokun e çështjeve, pagesat, afatet dhe fondet; si dhe që qytetarët të kenë akses në një ankim administrativ funksional dhe në gjykatë pa pengesa të panevojshme.

Po kështu, riorganizimi nuk duhet të krijojë vakum kompetencash. Procedimet administrative dhe gjyqësore, kontratat, fondet, arkivat, marrëdhëniet e punës dhe afatet ligjore duhet të kalojnë automatikisht te institucioni i ri. Një klauzolë e qartë e suksesionit universal është e domosdoshme për të shmangur pezullimin e procedurave ose debatet mbi vlefshmërinë e akteve.

Çfarë duhet korrigjuar

Para miratimit, projektligji mendoj se duhet të plotësohet të paktën në disa drejtime thelbësore:

  • Të qartësohet statusi institucional, autonomia reale dhe mekanizmat e llogaridhënies së Agjencisë Shtetërore të Pronës
  • Të vendosen mandate, kritere profesionale, konkurse transparente dhe garanci kundër shkarkimeve arbitrare për drejtuesit dhe stafin
  • Të ndahet qartë administrimi i pronës shtetërore nga regjistrimi, ankimi, kompensimi dhe auditimi
  • Të ligjërohen rregullat e integritetit, konfliktit të interesit, sinjalizimit dhe auditimit të pavarur
  • Të përcaktohen standarde të detyrueshme për verifikimin, sigurinë dhe gjurmueshmërinë e të dhënave kadastrale
  • Të mbrohen fondi i kompensimit, afatet ligjore dhe vendimet e formës së prerë
  • Të unifikohen rregullat e ankimit dhe të krijohen tregues publikë për kohën e trajtimit, ankimet, ekzekutimin e vendimeve dhe cilësinë e shërbimeve
  • Të sigurohet suksesioni i plotë i institucionit të ri në të gjitha të drejtat, detyrimet, arkivat, fondet dhe procedurat e institucioneve që zëvendësohen

Në përfundim, projektligji mund të krijojë një mundësi për të adresuar fragmentimin institucional në sektorin e pronës. Por, në formën aktuale, ai rrezikon të prodhojë më shumë centralizim sesa reformë të mirëfilltë. Bashkimi institucional mund të jetë mjet; nuk mund të jetë qëllim në vetvete.

Suksesi i reformës do të matet jo nga emri i agjencisë së re, por nga fakti nëse qytetarët do të kenë tituj më të sigurt, regjistra më të saktë, kompensim më të drejtë, ankime më të shpejta dhe një administratë më transparente e më pak të cenueshme nga korrupsioni. 

spot_img

Latest articles

Related articles