Gjykata e Apelit në Amiens të Francës ka vendosur që Ermal Beqiri, një nga figurat kyçe në dosjen e SPAK-ut për tenderat e AKSHI-t, të qëndrojë në qeli, ndërsa procedura për kërkesën e ekstradimit drejt Shqipërisë vijon.
Sipas medias franceze Paris Normandie, Beqiri të enjten e 20 gushtit kishte paraqitur një kërkesë për lirimin nga qelia në Gjykatën e Apelit në Amiens, me argumentin se po mbahet padrejtësisht në paraburgim, por kjo kërkesë e tij është rrëzuar nga gjykata.
Avokati i tij argumentoi se ai është viktimë e “ndalimit të paligjshëm”. Avokati theksoi se klienti i tij, përpara incidentit të Penly, kishte zbuluar në shtypin në vendin e tij të lindjes se ishte i kërkuar dhe kishte informuar autoritetet franceze: “Ai u vu në dispozicion, dha adresën e tij, si mund të flasim për një ‘të arratisur të kërkuar’?”
Prokuroria nga ana tjetër kundërshtoi lirimin e biznesmenit, me arsyetimin se burimet e tij dhe licenca e pilotit do t’i lejonin atij t’i shmangej shpejt autoriteteve.
Ndërsa vetë Beqiri, gjatë fjalës së tij në seancë tha se ka shkuar në Francë që në moshën 16-vjeçare. Beqiri me ironi shtoi se mund të ishte fshehur kudo, madje edhe në Dubai, por tha se zgjodhi Francën, për shkak të lidhjeve të tij me këtë vend.
“Arrita në Francë në moshën 16 vjeç, kam familjen time të dytë këtu. Po, lëviz shumë, në Turqi, Slloveni, Francë… Mund të kisha shkuar kudo, madje edhe në Dubai, por e dua Francën. Edhe nëse nuk zgjodha vendin më të mirë për t’u fshehur, as më të mirin për taksat…”, tha Beqiri gjatë fjalës së tij në seancë.
Ermal Beqiri u arrestua pasi fluturoi me avionin e tij privat në një lartësi të ulët mbi centralin bërthamor Penly, midis Dieppe dhe Le Tréport të Francës. Përballë autoriteteve franceze, më 27 korrik, Beqiri ka deklaruar se kishte gabuar me lartësinë e fluturimit dhe se në momentin kur kaloi mbi central ishte duke folur në telefon me nënën e tij.
Në kuadër të procedurës së pranimit të fajësisë, ai u dënua me një gjobë prej 7 mijë eurosh, një shumë që për këtë person, të përshkruar si milioner, konsiderohet më shumë një episod i parëndësishëm. Por çështja nuk përfundoi këtu.
Edhe pse pritej që të lirohej pas përfundimit të kësaj procedure, Beqiri vijon të qëndrojë në burgun e Beauvais, pasi autoritetet shqiptare i kanë dërguar Francës një kërkesë për ekstradimin e tij.
Ermal Beqiri kërkohet nga SPAK lidhur me abuzimet me tenderët e AKSH. Ndaj tij, SPAK ka ngritur veprat penale “Konkurrenca e paligjshme nëpërmjet dhunës”, “Heqja e paligjshme e lirisë”, “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tenderë apo ankande publike” e kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit atë të grupit të strukturuar kriminal dhe “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, si dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” dhe “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.



