Një aksident i rëndë është regjistruar në rrugën “Llazi Miho” në Tiranë, ku një fëmijë 10 vjeç është përplasur fillimisht nga një motomjet dhe më pas nga një automjet.
Sipas Policisë, i mituri u godit fillimisht nga një motomjet që drejtohej nga një 27-vjeçar, i cili rezultoi se lëvizte pa leje drejtimi.
Pas goditjes së parë, 10-vjeçari dyshohet se është përplasur edhe nga një automjet që drejtohej nga një 47-vjeçar.
Pas aksidentit, drejtuesi i automjetit është larguar nga vendngjarja, por pas veprimeve të shpejta të Policisë është identifikuar dhe kapur. Ndaj tij ka nisur procedimi penal në gjendje të lirë për largim nga vendi i aksidentit.
Ndërkohë, 27-vjeçari që drejtonte motomjetin është arrestuar në flagrancë, pasi rezultoi se qarkullonte pa leje drejtimi.
Fëmija është transportuar me urgjencë në spital, ku po merr ndihmën e nevojshme mjekësore. Sipas mjekëve, ai ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme



