Kryeministri Edi Rama ka rrëfyer për herë të parë detaje nga njohja e tij me Jared Kushner dhe Ivanka Trump, gjatë një interviste për rrjetin britanik Channel 4.
Rama tha se takimi i parë me çiftin amerikan ka ndodhur në vitin 2020, kur ai ishte ftuar në një jaht që kishte ndaluar në Shqipëri gjatë një udhëtimi drejt Malit të Zi.
“U njoha me Jared dhe Ivanka. Nuk e di nëse kishin dëgjuar më parë për Shqipërinë, por në atë moment ishin të interesuar për historinë dhe vendin ku ndodheshin”, deklaroi Rama.
Sipas tij, disa muaj më vonë, gjatë Forumit Ekonomik Botëror në Davos, Kushner shprehu interes për mundësitë e investimit në Shqipëri.
“Kushner shprehu interes për mundësitë për të investuar në Shqipëri dhe sigurisht që i thashë po. Si mund t’i thoja jo? Është gjëja më normale për mua”, u shpreh kryeministri.
Duke folur për projektet e mundshme turistike në Zvërnec dhe ishullin e Sazanit, Rama tha se aktualisht nuk ekziston ende një projekt përfundimtar, ndërsa imazhet e publikuara më herët në internet ishin vetëm pjesë promovuese.
“Çfarë u publikua në Instagram ishte thjesht një klip. Projekti ka evoluar dhe procesi ka ndryshuar. Tani janë përfshirë arkitektë të njohur dhe specialistë të peizazhit, ndërsa po kryhet edhe vlerësimi i pavarur i ndikimit mjedisor”, tha Rama.
Kryeministri theksoi se synimi është që zhvillimi i këtyre zonave të mos dëmtojë mjedisin, por të kontribuojë në rigjenerimin e tyre.
“Nuk do të jetë një projekt që brutalizon një vend të bukur. Qëllimi është rigjenerimi i tij”, u shpreh ai.
Lidhur me shqetësimet e ngritura nga Komisioni Europian dhe organizata të ndryshme për ndikimin e projekteve të tilla, Rama tha se ato janë pjesë normale e procesit.
“Është mirë që Komisioni Europian është i shqetësuar. Ne po negociojmë për anëtarësimin në Bashkimin Europian dhe është absurde të mendohet se Shqipëria do të ndjekë një drejtim që bie ndesh me direktivat europiane”, deklaroi kryeministri.
Ai shtoi se debatet publike rreth këtyre projekteve i konsideron pjesë të një shoqërie që po ndryshon dhe po përballet me iniciativa të reja zhvillimi.



