Debate të ashpra raportohet se janë regjistruar në mbledhjen e Grupit Parlamentar të PS-së, e zhvilluar këtë të premte, mes kryeministrit Edi Rama dhe deputetit Erion Braçe. Ishte ky i fundit që shprehu pakënaqësinë e tij në lidhje me votimet e kryera një ditë më parë në seancën plenare të Kuvendit.
Erion Braçe ka kritikuar mënyrën se si u miratuan dhe u votuan anëtarët e Komisionit të Prokurimit Publik (KPP), ku u zgjodh edhe kreu i ri i këtij institucioni të rëndësishëm.
Sipas raportimeve mediatike, deputeti socialist ka kundërshtuar faktin se deputetët votuan për kandidatë që nuk i njihnin dhe për të cilët nuk ishte zhvilluar asnjë diskutim paraprak.
“Votuam njerëz që nuk i njohim. Na i sillni gjërat gati dhe kërkoni të votojmë me sy mbyllur”, raportohet të ketë thënë Braçe.
Por kjo deklaratë nuk i ka pëlqyer Ramës, i cili i është përgjigjur Braçes duke thënë se anëtarët e KPP-së janë propozim i qeverisë dhe se votimi i tyre në Kuvend është një kërkesë e Bashkimit Evropian.
“Ata janë verdikti i qeverisë. Ç’të bëj që na e kërkon BE-ja? Se nuk e sillnim fare në Kuvend“, citohet të ketë thënë Rama.
Megjithatë, Braçe nuk është tërhequr dhe ka replikuar sërish me kryeministrin. Në atë moment, Rama ka humbur durimin dhe i është drejtuar deputetit socialist me tone të larta: “Qepe gojën. Mos fol mbi mua. Ik p*rdhu.”
Pas debatit me Braçen, Rama ka lëshuar edhe një mesazh që është interpretuar si paralajmërim për të gjithë deputetët socialistë.
“Do ta bëj ndonjërin shembull. Se deri tani kam menduar që nuk ju punojnë mirë neuronet”, mësohet të ketë thënë ai.



