Ish-ministri socialist Arben Malaj ka bërë një deklaratë të fortë publike, duke akuzuar drejtpërdrejt kryebashkiakun e arrestuar të Tiranës, se është palë me mafien tokave duke jua grabitur atë pronarëve të ligjshëm, nën kërcënime mafioze të oligarkëve.
“Erion Veliaj ka të drejtën të prezumohet i pafajshëm, por Veliaj nuk është “engjëll” dhe as “i burgosur politik””, shkruan ai, nisur nga deklaratat e kryebashkiakut, teksa kërkon mëshirë dhe sulmon prokurorët e SPAK nga qelia.
Dhe për të treguar se Erion Veliaj nuk është engjëll, Arben Malaj sjell për herë të parë rastin e vëllait të tij të ndjerë, i cili kishte trokitur në zyrën e kryebashkiakut, ashtu si ish-ministri vetë, por ishin përballur me arrogancë.
“Ky sulm i pashpirt ndaj vëllait tim, i cili fatkeqësisht ndërroi jetë një vit më parë edhe nën stresin e arrogancës së tij dhe drejtorit të urbanistikës, “dhëndrit të shokut Xhemal”. Kur bashkia shkeli çdo afat ligjor, kërkova një takim vetëm me Veliajn.
U bë në një takim ballafaques me Veliajn, që kishte marrë edhe urbanistin e “shteti jam unë”.
Pa asnjë etikë komunikimi, kur i thashë: “Ktheni përgjigje se e keni detyrim ligjor dhe do të ankohem në rrugë ligjore ne gjykatê”, ai me një arrogancë që nuk është hasur asnjëherë, m’u përgjigj me një arrogancë përbuzëse: “Ik ku të duash”, shkruan ish-ministri socialist.
Arben Malaj tregon se aty është përplasur me kryebashkiakun, duke i thënë në sy fjalët e popullit për institucionin që drejton, se atje kishte një mafie të tokave dhe ndërsa ditën bllokoheshin pronarët e ligjshëm, natën oligarkët dilnin në terren dhe u bënin presion për t’u marrë tokën.
“Atëherë në zyrë iu ktheva atij dhe Veliajt se qenka e vërtetë ajo që thotë populli, se në bashkinë tuaj ka një mafie të tokave. Ju bllokoni ditën pronarët ligjorë, ndërsa oligarkët tuaj natën u bëjnë presion pronarëve ligjorë për t’u blerë tokën me çmime apo koeficientë pjesëmarrjeje shumë më të ulët se tregu.
Në respekt të shpirtit të vëllait tim të ndjerë, jam i gatshëm të dal dëshmitar. Mediat pranë Veliaj shpifnin se vëllai im kishte kërkuar kullë. Genjeshtra gjithnjë i ka këmbët të shkurtra.
Menjëherë publikovane rrjetet sociale, kërkesën që vellai I kishte drejtuar Veliajt ku kërkonte vetëm të vendoste një ndërtim provizor druri,vetëm që të mos ia zaptonin tokën”, shkruan ish-ministri, duke theksuar se qëndrimi i tij nuk ushqehet vetëm nga ky rast, por rasti i vëllait të tij mbështet argumentet “pse Erion Veliaj nuk është engjëll”.



