Zbardhen detaje nga ‘zbarkimi’ i SPAK dhe forcave RENEA në Vlorë.
Që prej mëngjesit të sotëm po bëhen kontrolle në zonën e quajtur ‘7 pallatet Oslo’.
Nga zbërthimet e komunikimeve në Sky Ecc u godit grupi kriminal i Inez Hajrullës, shkruan tch.
Ndërkohë janë lëshuar urdhër arreste për Inez Hajrulla dhe Ervis Hajrulla.
Po ashtu janë zbardhur disa ngjarje kriminale.
Shtatë urdhër-arreste janë lëshuar në kuadër të një hetimi për krime të rënda, ndërsa mes të dyshuarve janë Flodian Plaku dhe Ervis Matodoshaj. Dy prej personave të përfshirë në operacion kanë qenë të arrestuar më parë në Itali, ndërsa një tjetër është ndaluar në Janinë të Greqisë.
Vrasja e Gentian Qarrit:
Kujtojmë se ekzekutimi i Gentian Qarrit ndodhi mbrëmjen e 6 shkurtit 2021.
Autorët kanë pritur për rreth 10 minuta në rrugë, derisa ai të dalë nga ambientet e një gomisterie aty pranë, dhe të shkojë në lokal.
Pamjet filmike të sekuestruara nga prokuroria e Vlorës, tregojnë se “Toyota Yaris”, ku qëndronin autorët ka lëvizur pak para se të qëllonin me armë.
Pranë ka kaluar një makinë policie, ndaj ata janë detyruar të largohen për tu rikthyer brenda pak çastesh, duke pritur që të dilte objektivi i tyre, Gentian Qarri ose siç thirrej ndryshe në Vlorë me nofkën “Gëçe”.
Ndaj tij është qëlluar me 20 plumba 6 prej të cilëve në trup.
Nga pamjet filmike të administruara nga policia duket se ndaj tij është qëlluar me automatik nga brenda automjetit tip “Toyota Yaris” që ishte në lëvizje.
Qarri, kishte 3 vite që ishte kthyer në Vlorë pasi ishte i dënuar në itali me 11 vite burgim për akuzën e trafikut të drogës.



