“Qen që lehin, telendarë…” Rama shan nga helikopteri ata që i ankohen për rrugët

spot_img
Advertisements

Të gjithë ata që ankohen sot për rrugët e shembura dhe bllokimet e qarkullimit duhet të kuptojë se nga sedilja e helikopterit kryeministri Edi Rama i ka krahasuar me “qen që lehin” ose me njerëz “telendarë”, “tenxhere” dhe “dallavere”, të cilët e kanë shpirtin e mbushur me “ligësi” dhe që i kap “histeria” sa herë ndodh ndonjë problem në qarkullim.

Rama ka publikuar një mesazh plot mllef në rrjetin social X duke nxjerrë një batërdi sharjesh, drejtuar kryesisht gazetarëve por edhe atyre që janë shprehur në rrjetet sociale për izolimin e juglindjes së vendit.

Mesazhi, që duket se është shkruar ndërsa Rama ishte duke fluturuar me helikopter drejt Korçës përfshin edhe një justifikim për këtë fluturim sot, sa qesharak aq edhe banal, kur thotë se helikopteri i Forcave të Armatosura “me ne ose pa ne, kryen çdo muaj orët e veta të domosdoshme të fluturimit, e në këtë rast i shërben edhe një pune tjetër të mirë njëkohësisht!”. Puna e mirë që po bën kryeministri sot është vizita nëpër aktivitete të tilla si ky në Korçë për të inspektuar “Polin e dijes”.

Duhet thënë se Rama mund të kishte zgjedhur të udhëtonte me makinë drejt Korçës si gjithë qytetarët e tjerë të Pogradecit, Korçës, Ersekës apo zonave të tjera të juglindjes që nisen drejt Tiranës dhe anasjelltas, dhe që janë detyruar të marrin rrugën për nga Maqedonia, ose nga Tepelena ose nga Gramshi. Por kryeministri siç duket e ka parë të udhës të shfrytëzojë helikopterin që ka në dispozicion nga Forcat e Armatosura.

Privilegji që i lejon vetes për të fluturuar me helikopter gjithsesi nuk e pengon Ramën ta vazhdojë ta quajë veten “kryeshërbëtor” të shqiptarëve që siç e saktëson ai “i çmon shumë”, aq shumë sa ky reagim me qen, me telendarë dhe me histerikë, ishte i pari i kryeministrit, që nga bllokimi i rrugës, e cila ka dy ditë që ka izoluar një pjesë të mirë të vendit.

spot_img

Latest articles

Related articles