Pse u fik sistemi i fiskalizimit që bën të mundur lëshimin e faturave ? AKSHI përgjegjës

spot_img
Advertisements

Prej dy ditësh, sistemi i fiskalizimit që bën të mundur lëshimin e faturave nga bizneset nuk funksionon. Bizneset as nuk japin, as nuk marrin dot mall, për shkakun se nuk presin dot faturë tatimore.

Që nga 29 prilli i vitit të kaluar, tenderi me vlerë 7.7 milionë euro me objekt “Mirëmbajtje e Modulit të Menaxhimit të Kontrollit të Faturimit për Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve.” – dështon.

Mirëmbajtja e sistemit ka mbetur pa “zot” dhe bizneset kanë mbetur me sytë nga “qielli” i tatimeve. Kur do rregullohet serveri i fiskalizimit që të rifillojë lëshimi i faturave nga bizneset? Përse u prish dhe kush e nxori jashtë funksionit?

Më parë, sistemi i fiskalizimit mirëmbahej nga një kompani kroate, Primus, derisa grupi i strukturuar kriminal që “sekuestroi” AKSHI-n, vendosi t’i hiqte qafe kroatët dhe ta merrte sistemin e fiskalizimit vetë.

Tenderi për mirëmbajtjen e fiskalizimit ka mbetur “pending”, thuajse një vit nga shpallja e tij dhe aktualisht pa “mirëmbajtës”, për shkak të moszhvillimit të tij.

Kjo gjendje “knock downi” e sistemit që bën të mundur aktivitetin e përditshëm të biznesit, po ngarkon çdo ditë e më shumë me një barrë të rëndë ekonominë dhe qytetarët.

“Mirëmbajtësit” e arratisur nga drejtësia kanë akoma në duar çelësat e fiskalizimit. Sa herë ata i zë “gjumi” atje ku janë, i gjithë biznesi detyrohet të flerë bashkë me ta.

Kjo gjendje kolapsi, mund të prekë edhe portalin E-Albania për shërbimet publike që ofrohen në mënyrë elektronike. Në datën 2 shkurt 2026 është njoftuar se futet në punë versioni i ri “modern” E-Albania 2.0.

Pas shpërthimit të skandalit të AKSH-it, E-Albania nuk funksionon normalisht dhe paraqet probleme të mëdha. Në një njoftim të ditëve të fundit që shfaqet në E-Albania thuhet se “Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile do të realizojë operacione mirëmbajtjeje dhe përmirësimi të sistemit elektronik të saj dhe se gjatë këtyre proceseve mund të ketë ndërprerje të përkohshme apo ngadalësime në marrjen e të dhënave përmes ndërveprimit me Regjistrin Kombëtar të Gjendjes Civile.”

spot_img

Latest articles

Related articles