nga Ylli Manjani
E dua shumë Europën historike e kulturore. Me ekonominë e Europës jetojmë e kontribuojmë të gjithë. Në Europë ushqehemi e shërohemi.
Në Europë shkollojmë dhe pasardhësit. Në Europë lëvizim lirisht pa vizë e pa burokraci.
Autoveturat i kemi masivisht Europiane. Në detet e Europës lahemi dhe në malet e saj bëjmë ski.
Jam me traditën e Europës, sepse më përshtatet më së miri.
Në këtë pikpamje huqet sempliste të amerikanëve nuk më pëlqejnë fare. Le të jenë më të fortët e botës, prap jeta e tyre nuk më josh.
Janë shumë larg nesh dhe, pak ose aspak gjëra na lidhin. Të paktën mua.
Në Europë e kam përkatësinë time. Në fakt të gjithë ne aty e kemi përkatësinë, mendësinë dhe kulturën.
Por politikisht, jam për Europën e Viktor Orban, të cilit nuk i bie fjalë në tokë. Jam ndoshta edhe me Europën e Melonit, LePen, Ficos e ndonjë tjetri si këta, të cilët arsyetojnë mbi një Europë racionale dhe të traditës.
Mbi një fuqi ekonomike e politike të rruzullit, bazuar në ekonominë e çdo shteti europian.
Europa e burokratëve të Brukselit është e mërzitshme; e padrejtë; e plogësht; e pangjyrë; anemike; e paaftë.
Është arrogante me të dobëtit dhe e korruptueshme me të fortët.
Fjala vjen, kur Europa burokratike na thotë që të luftojmë korrupsionin, ndërkohë që vetë është e zhytur në korrupsion ma shpif fare! Truri masë më bën, me thënë të drejtën.
Kjo nuk do të thotë se nuk duhet ta luftojmë korrupsionin, por jo si direktivë burokratësh të korrupruar.
Korrupsionin do duhet ta luftojmë njësoj siç e lufton çdo vend i BE me të njëjtin standard ligjor, social, ekonomik dhe kulturor.
Sigurisht, jam askushi që të gjykoj gjithë këtë Europë, por këtë mendim kam. Ndaj edhe kur kritikoj ndonjëherë zyrtarë të BE në Tiranë, nisem ekzakt nga këto konsiderata


