Dhjetëra familje legaliste dhe mbështetës të Mbretit Zog u nderuan në Korçë, përgjatë një takimi me prezencën e princit Leka Zogu II, i cili u shpreh se korçarët kanë qëndruar me besnikëri gjatë historisë dhe se familja e tij mbretërore ka një dashuri të madhe për një qytet si Korça.
Nga ana e tij, Kreu i PLL Shpëtim Axhami, organizatori i nderimit të familjes legaliste në qarkun Korçë falënderoi pasardhësit e nderuar për Qëndresën.

FJALA E KRYETARIT TË PARTISË LËVIZJA E LEGALITETIT
Z. Shpëtim AXHAMI
Korçë, 20 dhjetor 2025
Në nder të dekorimit të atyre që kuontribuan në shtetformimin shqiptar dhe mbajrën lart idalet e filozofisë zogiste, sipas projektit “Kthim tek Rrënjët” dhe në përkujtim të 101-vjetorit të “Triumfit të Legalitetit”
I nderuar Lartësia Juaj Mbretërore,
Princ i Kurorës, Leka II,
Të nderuara zonja dhe zotërinj,
Të nderuar familjarë të atyre që për më shumë se një shekull kanë shkruar histori,
Një përshëndetje të veçantë për familjen Kulla, të ardhur posaçërisht nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Kanadaja për këtë aktivitet të përbashkët,
Miq të çmuar,
Kam kënaqësinë e veçantë që sot ndodhem mes jush në këtë qytet të shquar, djep të kulturës dhe të Rilindjes sonë Kombëtare;
në qytetin e Shkollës së Parë Shqipe dhe të serenatave të paharruara.
Gjej rastin t’ju falënderoj përzemërsisht për pritjen e ngrohtë, e cila i jep kuptim dhe vlerë këtij takimi solemn.

Të nderuar pjesëmarrës,
Një vit më parë kremtuam 100-vjetorin e “Triumfit të Legalitetit”. Sot, këtu nga Korça, duke vlerësuar ata që kontribuan në këtë histori, përkujtojmë 101-vjetorin e këtij triumfi kombëtar.
Që nga 24 dhjetori i vitit 1924, për më shumë se një shekull, breza të tërë legalistësh i kanë qëndruar besnikë filozofisë zogiste:
Për Atdhe dhe Mbret,
për Shtet dhe për troje të lira etnike kombëtare.
Është detyrim moral dhe historik për ne të kujtojmë me respekt dhe mirënjohje të thellë ata që luftuan dhe sakrifikuan për këto ideale.
Në këtë frymë, Partia Lëvizja e Legalitetit, në bashkëpunim me Oborrin Mbretëror dhe me Naltësinë e Tij, Princin e Kurorës Leka II, ka ndërmarrë projektin kombëtar “Kthim tek Rrënjët”, në nder të një shekulli të “Triumfit të Legalitetit”.
Kujtojmë dhe vlerësojmë ata që u bënë pjesë e kësaj rruge të lavdishme.
Edhe Korça ka dhënë kontribute të jashtëzakonshme.
Nga ky qytet dolën burra të mëdhenj, trima dhe intelektualë atdhetarë si Koço Kota dhe Pandeli Evangjeli, të cilët jo vetëm që mundësuan dhe udhëhoqën “Triumfin e Legalitetit” në dhjetorin e vitit 1924, përmes Kapshticës, duke mbështetur Ahmet Zogun për të marrë në dorë fatet e Shqipërisë, por u shndërruan në shtylla kryesore të shtetit të parë modern shqiptar, në rolet e Kryeministrit dhe Kryetarit të Asamblesë Parlamentare gjatë viteve 1928–1939.
Po nga Korça, me tekst të Kristo Floqit dhe muzikë të Thoma Nasit, i ka rrënjët Himni Mbretënuer Shqiptar, i interpretuar sot mjeshtërisht nga profesori korçar Petrika Trako.
Respekt dhe mirënjohje për ta.
Një nderim i veçantë u takon të gjithë idealistëve dhe mbështetësve të kauzës sonë që gjatë diktaturës komuniste nuk u përkulën dhe nuk u dorëzuan, duke ruajtur dinjitetin dhe krenarinë përballë internimit, burgosjes, torturave dhe pushkatimeve.
Nderim dhe mirënjohje për ata që në mërgim u përkushtuan me devotshmëri në shërbim të interesit kombëtar dhe mbajtën gjallë idealet e monarkisë shqiptare.
Gjithashtu, përulemi me respekt përpara atyre që, pas vitit 1990, pa asnjë interes apo privilegj personal, vijuan dhe vazhdojnë me përkushtim rrugën e legalitetit dhe mbështetjen programore të saj.
Të nderuar pjesëmarrës,
Duhet të jemi krenarë për historinë dhe origjinën tonë, por njëkohësisht edhe të vetëdijshëm për përgjegjësitë që mbajmë sot.
Shqipëria ka nevojë për një qasje të re, për besim dhe vizion të ri, për të dalë nga gjendja e rëndë politike, qeverisëse, ekonomike dhe sociale ku ndodhet.
Vendi ynë ka nevojë për një organizim ndryshe të së djathtës konservatore. Për këtë, është e drejta dhe detyrimi ynë të bashkojmë çdo potencial dhe të krijojmë një bosht graviteti rreth forcës sonë politike.
Vetëm të bashkuar mund të ndryshojmë realitetin e sotëm të zymtë, që Shqipëria të mos shpopullohet, por të ringjallet; që shoqëria të shëndoshet dhe rinia të gjejë shpresë në atdheun e vet, në një Shqipëri më të zhvilluar dhe më të begatë.
Le të shërbejë ky takim si reflektim dhe thirrje për brezat trashëgimtarë të atyre që ndërtuan shtetin e parë modern shqiptar, nën moton e Mbretit Zog:
“Atdheu mbi të gjitha.”
Të angazhohemi dhe të bashkohemi rreth kësaj vlere, për ta zhvilluar Shqipërinë më demokratike, më të fortë ekonomikisht dhe brenda një kombi të bashkuar, me një sistem qeverisës mbretëror.
Faleminderit për vëmendjen tuaj!
Zoti e bekoftë Korçën dhe korçarët!
Rroftë Princi i Kurorës, Leka II! 🇦🇱
Gëzuar festat e fundvitit për ju dhe për të gjithë korçarët, kudo që ndodhen!


