Biznesmeni Meçe u mor peng dhe u DETYRUA të tërhiqej nga tenderët e AKSHI-t

spot_img
Advertisements

Detaje tronditëse kanë dalë në dritë nga hetimet e Prokurorisë së Posaçme për tenderët e AKSHI-t, ku sipas burimeve hetimore, biznesmeni Gerond Meçe është detyruar të tërhiqet nga një seri ankesash nën presion dhe kërcënime të drejtpërdrejta.
Më 14 gusht 2025, Meçe dorëzoi në Komisionin e Prokurimeve Publike dokumente për tërheqjen e një numri të madh ankesash që lidhen me tenderë disa milionë euro, ndërsa më herët ishte tërhequr edhe nga ankesa për tenderin e mirëmbajtjes së të dhënave të Thesarit.
Në atë kohë u raportua për një pazar të mundshëm mes Meçes dhe biznesmenit Ermal Beqiri, i konsideruar si “pole position” në tenderët e AKSHI-t, të cilët sipas SPAK rezulton se janë ndarë nën drejtimin e Ergys Agasit.
Sipas burimeve, SPAK ka të dhëna se tërheqja e Meçes nuk ka qenë e vullnetshme: ai dyshohet se është marrë peng dhe është detyruar të heqë dorë nga ankimet për të mos penguar skemën e tenderëve të paracaktuar.

Ky zbulim përputhet me aksionin e gjerë të SPAK-ut, i cili ditët e fundit ka goditur zyrtarë të lartë të AKSHI-t dhe bashkëpunëtorë të tyre në sektorin privat.

GJKKO ka caktuar arrest me burg për biznesmenin Ergys Agasi dhe për Ermal Beqirin, pronarin e “Soft & Solution”. Drejtoresha e AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj, është vendosur nën masën arrest shtëpie, ndërsa zëvendësdrejtori i Policisë së Tiranës, Erion Ismaili, është pezulluar nga detyra. SPAK ka marrë masa sigurie edhe për zyrtarë të Komisioneve të Vlerësimit të Ofertave dhe të Shqyrtimit të Ankesave.

Hetimet përfshijnë 12 tenderë të dyshuar se janë zhvilluar në shkelje, me kritere të përcaktuara nga kompanitë e favorizuara dhe me procedura të manipuluara.

Në qershor, gjatë kontrolleve, hetuesit sekuestruan 7 telefona ku u gjetën biseda që sipas burimeve tregojnë qartë koordinimin për ndarjen paraprake të tenderëve.

Kjo çështje pritet të zgjerohet edhe më tej, pasi SPAK po verifikon rolin e çdo personi të përfshirë në skemën e dyshuar, që tashmë konsiderohet një nga aferat më të mëdha të korrupsionit në sektorin e teknologjisë dhe prokurimeve publike në Shqipëri.

Latest articles

Related articles