nga Enver Robelli
Nëse i lexon komentet e gazetave të Evropës Perëndimore, toni është i qartë: kontinenti ndodhet para sfidave dramatike. Evropa është e përballur me çështje lufte dhe paqeje pa mbështetjen amerikane, për herë të parë që nga viti 1945, administrata aktuale në Washington po paralajmëron një ndryshim epokal të kursit.
Rusia shihet si partnere, Evropa më shumë si rivale. Në këtë kornizë futet edhe strategjia për mbështetjen e “forcave patriotike” në Evropë, të cilat në fakt janë grupe të së djathtës radikale dhe që, nga dashuria e madhe që kanë për Rusinë, nuk mund ta duan Amerikën aspak. Të tillët e duan SHBA-në vetëm sa kohë administrata Trump synon dëmtimin e BE-së si projektin më të rëndësishëm paqebërës dhe mirëqeniesjellës të historisë bashkëkohore.
Nëse i përcjell debatet politike në Kosovë, atëherë vëren se klasa politike ka hyrë në një qorrsokak me një diskurs primitiv, të cilit i japin jehonë edhe kalorësit e klikimeve.
Çdo poshtërsi shihet si shans për komercializim; çdo fjalë si mundësi për shtrembërim dhe “spin”-e të paskrupullta. Gjuha nuk ka më frenë. Akuza më “normale” është njollosja e kundërshtarit politik si “spiun i Serbisë”, madje edhe nga politikanë të rinj, të cilët do të duhej të jepnin shembull të një kulture të re demokratike dhe jotoksike.
Sikur kjo të mos mjaftonte, kanë rënë pothuaj të gjitha barrierat etike, dhe e kaluara përdoret e keqpërdoret vetëm për të mos folur për të ardhmen. Sa i përket akuzave paushalle, askush askujt nuk i ka mbetur borxh – prandaj ka aq shumë “vrasës” dhe “të korruptuar”, por pothuajse asnjë dënim nga drejtësia, e cila po ashtu mbetet e ngatërruar në betejat e saj të brendshme dhe e ndikuar nga (para)politika.
Kësaj klase politike nuk po i bëhet vonë për asgjë. Zelli i paparë për të treguar përralla dhe mungesa e guximit për t’u përballur me çështje të vështira, mungesa e gatishmërisë për të marrë vendime ndoshta aspak popullore, propaganda e përditshme se po jetohet në parajsë dhe kundërpropaganda se vendi ka rënë në humnerë, e bëjnë të pamundur një diskurs normal.
Me rëndësi është kush kujt po i nxjerr sytë, kush po përdor gjuhën më të ndyrë nëpër studio televizive dhe, kësisoj – me këto kopalla – po bëhet “viral”.
Ndërkohë vendin e ka mbuluar pisllëku. Sistemi arsimor, sistemi shëndetësor, infrastruktura rrugore, ekonomia, sektori i energjisë më shumë administrohen në vendnumërim në vend se të menaxhohen mirë, të profesionalizohen dhe të gjenerojnë mirëqenie për qytetarët. Gati 18 vjet pas pavarësisë njerëzit s’kanë sigurim shëndetësor. Qytetet e Kosovës i ngufat kaosi urban. Ndotja e ambientit është alarmante. Administrata shtetërore e ngathët, joefikase dhe shpesh edhe arrogante ndaj taksapaguesve. Këto sfida nuk i adreson gati askush. Prioritet kanë sharjet e ndërsjella, keqpërdorimi i buxhetit për “ndihma sociale” të cilat qytetarët i harxhojnë në Shkup, Selanik apo qytete të tjera jashtë Kosovës, premtimet jorealiste, bllokadat e ndërsjella në dëm të qytetarëve, simulimi i reformave. Çka prezantohet si e vërtetë, të nesërmen del rrenë, pasnesër vazhdohet me rrenën tjetër, brutalisht të shumëfishuar nga rrota e madhe për përpunimin e rrenave. Një botë orewelliane, versioni kosovar i vitit 2025.


