“Mamaja mendoi se babai e braktisi, ndaj më braktisi mua”, historia e trishtë e zyrtarit të PS që u rrit në jetimore: Momenti kur u takova me babanë

spot_img
Advertisements

Alfred Muharremi, anëtar i Këshillit Bashkiak të Tiranës, në “Off the Record” në A2 CNN, rrëfeu se si nëna e tij e braktisi për shkak të një keqkuptimi dhe tregoi gjithashtu takimin e parë me të atin.

“Ndodhia ka qenë kështu. Babai im ka qenë i detyruar për të marrë vizën amerikane dhe për të marrë vizën amerikane, normalisht duke qenë se nuk ka qenë një konsull, ambasada amerikane më e afërt ka qenë në Greqi dhe babai im është i detyruar që të largohej për në Greqi dhe që të merrte vizën amerikane dhe që të shkelte shtetin amerikan dhe kjo ka qenë një periudhë tranzitore gjashtë mujore. Gjatë marrëdhënies që ka pasur me mamin tim, nuk kanë qenë të martuar, por ka qenë një histori dashurie. Gjatë kohës që ka lëvizur nuk ka pasur mjete komunikimi. Ia ka thënë që unë po largohem, por do të kthehem. Por, nuk ka përcaktuar kohën dhe duke mos përcaktuar kohën, mamaja ime ka menduar që babai im po e braktis dhe mamaja ime ka filluar një histori me një person tjetër dhe më pas duke menduar që babai im ka braktisur, kam menduar që të më braktisë për shkak të vetë opinionit që mund të kishte në familje”, tha Muharremi.

Zyrtari socialist kujton edhe takimin e parë me babain e tij.

“Babai vjen bashkë me dy vëllezër, pra me dy xhajat e mi. Unë nuk e dija se nga po vinte. Aty ka qenë një moment që për mua ishte domethënës, sepse ADN-në e kemi bërë mbrapa, por ka shënuar procesin që unë kam thënë: “Po, ky është babai im”. Sepse Arvi, djali im, në mënyrë instrinktive shkoi drejt babait tim. Kur jemi takuar ka qenë moment shumë, shumë prekës. Më pas, për një muaj ne mund të kemi takuar pafund njerëz. Edhe m’u duk si ajo periudha e fushatës elektorale ku unë detyrohem të takoj njerëz. Ajo ishte fushata. Ishte një nga periudhat që mua më ka ngrënë më shumë kohë me takimin me njerëz dhe ndonjëherë nuk dija si të qasesha. Por, jam pritur shumë mirë nga ana e babait”, deklaroi Muharremi.

Alfred Muharremi ka rrëfyer se është dhunuar fizikisht dhe psikologjikisht.

“Tirana ka qenë një tmerr. Nëse unë kam vuajtur periudhën më të vështirë, pavarësisht se kam qenë pjesë e abuzimit qoftë verbal edhe fizik dhe të diskriminimit në shoqëri kryesisht, periudha e adoleshencës, kur unë kam qenë edhe jashtë dyerve të fshatit SOS, kur unë duhet ta përballoja jetën time i pavarur, ka qenë përballja ime më e egër me të gjithë, kryesisht me institucionet. Atëherë, ne kishim një mospërfillje nga ana e institucioneve të Republikës së Shqipërisë në lidhje me një ofrim të shërbimit që ti e kishe të nevojshme”, tha Muharremi.

“Ne merrnim atëhere vetëm një pagesë 3 000 lekësh dhe ishim të detyruar që të ndiqnim periudhën e shkollës dhe u detyronim që të punonim. Unë për shembull në rastin tim kam punuar deri në orën 1:00 të natës kamarier. Pasi mbaroja gjimnazin, menjëherë në orën 3:00 paraqitesha në punë, e mbyllja në orën 1:00 të darkës. Nuk e arrija dot t’ia plotësoja as komoditetet vetes, që të kisha dy palë xhinse në vit, por kishim vetëm nga një palë xhinse në vit dhe një palë atlete”, shtoi Muharremi.

Por, sipas tij, “mësimet që të jep dhimbja nuk t’i jep askush tjetër”.

“Janë kthyer në forcë, janë kthyer në model dhe përpiqem që me këtë modelin tim jetësor t’i tregoj kësaj shoqërie që nuk jemi viktima të shoqërisë. Pra, ne jemi njerëz të cilët e meritojmë të jemi me kushte të barabarta pranë çdo ambienti, komuniteti ku jetojmë”, theksoi Muharremi

Latest articles

Related articles