Gjenerali Clark: UÇK luftoi për liri, Thaçi nuk mban përgjegjësi për aktet e dhunës në Kosovë

spot_img
Advertisements

Wesley Clark, gjeneral i pensionuar amerikan, për dy ditë me radhë dëshmoi në mbrojtje të ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, i cili së bashku me ish-kryeparlamentarët Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi dhe ish-deputetin Rexhep Selimi po gjykohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Të katër ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës mohojnë akuzat ndaj tyre.

Në vazhdim po iu sjellim të përmbledhur dëshminë dyditore të Clarkut, i cili është dëshmitari i fundit i thirrur nga mbrojtja e Thaçit:

Clark, gjeneral amerikan me katër yje, dëshmoi para Dhomave të Specializuara në Hagë se Thaçi nuk ishte komandant ushtarak i UÇK-së dhe sipas tij nuk ishte përgjegjës për këtë organizatë.

Ndërsa i pyetur nëse ka qenë e mundur që UÇK-ja të ketë pasur zinxhir komandues funksional me hierarki të plotë e NATO-ja dhe Shtetet e Bashkuara të mos e kenë ditur, Clark tha shkurtimisht: “Jo”.

“Më kujtohet që e kam parë Thaçin, sepse ishte zëdhënës. ishte i pastër, i veshur mirë, dukej më perëndimor se të tjetër. Nuk dukej se kishte qenë në mal duke luftuar për një-dy vjet rresht. Ishte e qartë se nuk ishte përgjegjës aty, nuk komandonte aty”, tha ai më 17 nëntor.

Në ditën e parë të dëshmisë, Clark tha po ashtu se nuk besonte që Thaçi komandonte personat që kryen akte të dhunës pas çlirimit të Kosovës.

Clark u shpreh se nuk kishte dëgjuar për Shtabin e Përgjithshëm të UÇK-së dhe as nuk kishte informacione nëse Thaçi kishte luftuar ose jo.

Ndërkaq, në ditën e dytë të dëshmisë së tij, gjenerali amerikan u shpreh se UÇK-ja nuk kishte kryer spastrim etnik.

Ai tha se i mbetet besnik deklaratave të mëparshme se dhunën në verën dhe vjeshtën e vitit 1999 në Kosovë e shihte si një konflikt shumë personal mes fqinjëve, për të cilën udhëheqësit e UÇK-së nuk kishin përgjegjësi.

I pyetur për një deklaratë në gazetën Shekulli në vitin 1999, ku kishte thënë se nuk kishte prova se UÇK-ja ka kryer spastrim etnik të serbëve, Clark tha:

“Unë nuk kam prova e as dëshmi që UÇK-ja ishte prapa kësaj, por kam indikacione që dëshmojnë të kundërtën”.

Clark po i referohej pretendimeve të asaj kohe për dëbimin e rreth 170.000 serbëve.

Nga avokatët mbrojtës dhe prokuroria, Clark u pyet për një sërë çështjesh dhe ngjarjesh, përfshirë edhe për takimet me udhëheqësin e atëhershëm, Sllobodan Millosheviq.

Në fund të dëshmisë së tij, ai i kërkoi trupit gjykues që ta lejonte të jepte një vlerësim të tij për rastin gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së.

Ai përsëriti bindjen që Thaçi nuk mban përgjegjësi për aktet e dhunës apo hakmarrjes që kanë ndodhur në Kosovë.

“E kam ndjekur këtë gjykim dhe i qëndroj bindjes së mëparshme që Hashim Thaçi nuk është përgjegjës për atë çfarë ka ndodhur në Kosovë. Ai nuk mban përgjegjësi për aktet individuale të dhunës ose të hakmarrjes”, tha ai.

Sipas Clarkut, UÇK-ja nuk ishte terroriste pasi pjesëtarët e saj luftuan për lirinë e tyre.

“Ata nuk janë terroristë, pavarësisht se kur shkova të takoja gjeneralët serbë ata më thanë që ata janë terroristë. Janë njerëz që luftonin kundër një regjimi të padrejtë, të jashtëligjshëm, që meritonte të largohej dhe të zëvendësohej”, tha ai.

Trupi gjykues nuk i parashtroi pyetje Clarkut.

Clark kishte shërbyer si komandant Suprem i Forcave Aleate në Evropë për NATO-n nga viti 1997 deri më 2000.

Ai udhëhoqi fushatën ajrore kundër caqeve serbe, që zgjati 11 javë.

Fushata u krye me qëllim që të ndalte dhunën e forcave serbe kundër shqiptarëve në Kosovë. Bombardimet u ndërprenë në qershor të vitit 1999, një ditë pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Kumanovës.

Ajo çoi në përfundimin e vrasjeve dhe përfundimisht, vite më vonë, në pavarësimin e Kosovës.

Clark shihet si hero në Kosovë për rolin e tij në çlirimin e vendit dhe për këtë ai është nderuar në Prishtinë në vitin 2024

Latest articles

Related articles