Një tubim paqësor pritet të zhvillohet sot përpara Kuvendit të Shqipërisë, në orën 09:30, organizuar nga “Koalicioni Shqiptar pro Familjes dhe Jetës”. Shkak për këtë protestë është projektligji “Për barazinë gjinore”, i cili pritet të kalojë për votim në seancën plenare.
Organizatorët e tubimit e cilësojnë këtë projektligj si një nismë që “kërcënon vlerat familjare, fëmijët dhe traditën shqiptare”, duke u bërë thirrje qytetarëve të bashkohen në mbrojtje të familjes dhe fëmijëve. Në njoftimin e tyre, ata e përshkruajnë ditën e nesërme si një “ditë zie kombëtare”, ndërsa theksojnë se veshja me të zeza do të jetë simbol i protestës së tyre paqësore.
Nga ana tjetër, aktivistja për të drejtat e komunitetit LGBT, Xheni Karaj, në një reagim të pazakontë, e konsideron ditën e nesërme si “një moment historik për Shqipërinë”. Sipas saj, projektligji synon të forcojë zbatimin e parimit të mosdiskriminimit dhe të përmirësojë mekanizmat e barazisë gjinore në vendin e punës, politikë dhe shoqëri.
Karaj deklaron se projektligji “Për barazinë gjinore” përmbush detyrimet kushtetuese dhe ndërkombëtare të Shqipërisë, duke e cilësuar si një standard europian dhe një vlerë kombëtare.
Megjithatë, për shumë qytetarë dhe organizata që do të mblidhen nesër përpara Kuvendit, mbetet shqetësim mënyra se si ky ligj mund të prekë strukturën tradicionale të familjes dhe rolet që kanë qenë historikisht themelore për shoqërinë shqiptare.
Po ashtu, sipas tyre këto fjalë duken më shumë si përpjekje për të zëvendësuar konceptet tradicionale të familjes dhe vlerave mbi të cilat është ndërtuar shoqëria shqiptare.


