Kreu i Partisë Lëvizja e Legalitetit z. Shpëtim Axhami përmes një komunikimi publik ka reaguar pas botimit të raportit përfundimtar të OSBE – Odihr për zgjedhjet parlamentare të 11 majit, ku PLL mora 27 mijë vota në rang kombëtar, me 1 deputet.
Tiranë, më 22/10/2025
Partia Lëvizja e Legalitetit shpreh shqetësimin e saj për konkluzionet e raportit përfundimtar të OSBE/ODIHR mbi zgjedhjet parlamentare të 11 majit 2025, i cili konfirmon problemet e vazhdueshme që cënojnë standardet demokratike dhe pluralizmin në vend.
Raporti evidenton përdorimin e burimeve shtetërore në fushatë, presionin ndaj administratës publike, mungesën e barazisë ndërmjet partive, si dhe politizimin e institucioneve zgjedhore. Këto fenomene minojnë besimin e qytetarëve tek procesi dhe deformojnë vullnetin e lirë të votuesve.
Partia Lëvizja e Legalitetit kërkon zbatimin e menjëhershëm të rekomandimeve të OSBE/ODIHR, një reformë zgjedhore gjithëpërfshirëse dhe garantimin e një administrate neutrale që t’i shërbejë vetëm ligjit e jo partive.
Legaliteti mbetet i vendosur për të kontribuar në ndërtimin e një sistemi politik të ndershëm, ku vota e qytetarit të jetë e lirë, e barabartë dhe e respektuar.