Dyfishohet tenderi i laboratorëve në shkolla, AKSHI hap procedurën 35 milionë €

spot_img
Advertisements

Tenderët e laboratorëve në shkolla kanë qenë objekt i një hetimi të Prokurorisë së Posaçme, pas dyshimeve për favorizim të firmës fituese apo edhe mungesës së pajisjeve të teknologjisë së informacionit në shkollat e vendit. Padyshim që cilësia në shkolla duhet të jetë primare për një qeveri, ashtu si spitalet apo rendi.

Historia e ka treguar se paratë nuk kanë munguar, që nga projekti i famshëm i tabletave të qeverisë “Berisha”, ku u premtua se mësimi do të bëhej me kompjuter, e deri në qeveritë “Rama 1, 2, 3 e 4”, ku janë shpenzuar dhjetëra miliona euro. Është premtuar internet dhe laboratorë në shkolla, por shumica e shkollave s’kanë as internet e as laboratorë.

Gjatë viteve të fundit janë bërë disa tendera, dukshëm tepër të diskutuar, ku fitues ka dalë gjithmonë oferta më e lartë. Ka pasur sekuestrime telefonash të zyrtarëve të AKSHI-t, të pronarëve të firmave private, e madje edhe të disa zyrtarëve të ministrisë së Arsimit. Por, deri më tani SPAK-u s’ka dalë ende me një njoftim konkret nëse ka marrë apo jo ndonjë person të pandehur.

Dhe, në gjithë këtë situatë ku arsimi duket se është në kohërat më të këqija, ku niveli i shkollave dhe mësimdhënies është vënë tepër në diskutim, ku dhjetëra shkolla janë mbylluar dhe është ulur numri i nxënësve, AKSHI hap një tjetër tender për laboratorët.

Duket një procedurë që vjen pak erë, që nuk bëhet për të rritur cilësinë e mësimdhënies apo të rregullojë probleme tepër madhore në arsim. Më shumë duket si një qokë e radhës, për firma të caktuara dhe të preferuara, të cilat fitojnë gjithmonë tenderat e njëjtë.

Sipas dokumenteve që disponon redaksia e VoxNews, është hapur tenderi me objekt “ngritja e Smart Labs – rrjeti i laboratorëve TIK për sistemin arsimor parauniversitar”. Kjo është faza e tretë e kësaj procedure shkruan AKSHI, ndërkohë që fondi limit i të gjithë procedurës është plot 3.503.394.300 lekë.

AKSHI shkruan se bëhet fjalë për një sistem elektronik të inteligjencës, por ndërkohë ajo që bie në sy në gjithë këtë procedurë është dyfishimi i vlerës. Fondi i tenderëve të mëparshëm ka qenë rreth 17 milionë euro dhe i fundit është hapur në vitin 2023.

Në atë kohë pati dyshime të mëdha për paracaktim të fituesit, pasi AKSHI ndryshoi plot 2 herë kriteret. Një gjë e tillë ndodhi për të eliminuar konkurrencën dhe përjashtimin nga gara të kompanive pjesëmarrëse, me qëllim paracaktimin e fituesit.

Ndërkohë, ka pasur diskutime të tjerë për shkak të kostove të fryra, pasi tenderi i atëhershëm parashikonte ngritjen e laboratorëve në 216 shkolla. Mësohet se një laptop do të kushtonte plot 3 mijë euro, ndërkohë që nëse do t’a blesh në treg të hapur, 1 laptop kushon nga 600 deri në 1000 euro, madje i një cilësie tepër të lartë.

Në tenderët e tjerë, me objekt të njëjtë, AKSHI ka favorizuar gjithnjë firmën “Albascan”, e cila kohët e fundit ka fituar tendera në disa institucione të sigurisë si në burgje, gjykata, garda apo edhe nga vetë SPAK-u. A mos vallë edhe ky tender do të ketë të njëjtin fitues, por me një çmim tepër të lartë?!

Latest articles

Related articles