Ruel Domi
Zgjedhjet e parakohshme të 9 Nëntorit, nga ku do të dalin kryetarët e rinj të bashkisë së 6 Bashkive, përfshirë edhe ‘Kryebashkinë’ e Tiranës, mund të fitohen nga opozita vetëm me një kandidat jopolitik. Përpos faktit që këto zgjedhje janë në shkelje të Nenit 115 të Kushtetutës e për rrjedhojë në shkelje të Kushtetutës, opozita e ka për detyrë të bëjë më të mirën në Bashkinë e Tiranës. Historia politike na tregon se fitorja e Bashkisë së Tiranës mund të sjellë momentumin politik të nevojshëm për çdo opozitë. Në vitin 2007, Partia Socialiste ishte “pa kokë politike” pas rënies në opozitë në vitin 2005, por rizgjedhja e Ramës për një mandat të tretë në Tiranë bëri që PS në vitin 2009 t’i afrohej shumicës qeverisëse fare pranë duke dalë forca e parë me vota, por duke humbur zgjedhjet për shkak të koalicionit paszgjedhor Berisha-Meta. Kuptohet që opozita aktuale është shumë më e dobët se ajo e Ramës së asaj kohe, ndërkaq që pushteti aktual i Ramës është shumë më autoritar dhe elektoralist më i strukturuar në terren sesa ai i Berishës së kohës, e për pasojë recetat e zakonshme politike të konsulentëve në çdo palë zgjedhje nuk do bënin punë. Kjo vijë logjike na çon tek teza se opozitës i duhet një kandidat jopolitik për Tiranën.
Zgjedhjet e 11 Majit na treguan se moskoagulimi i gjakut politik opozitar, alias mbajtja e të njëjtave figura politike, i kushtoi rëndë opozitës. Elektorati gri, të cilin PD dhe aleatët duhet medoemos ta fitojnë në 9 Nëntor për të fituar Bashkinë e Tiranës, është i lodhur nga jakat e kravatat e politikës parlamentare, çka e bën zgjedhjen e një figure nga shoqëria civile jo vetëm të pëlqyeshme por të nevojshme si një parakusht për fitoren e zgjedhjeve. Gjasat janë që edhe me një kandidat jopolitik, Manastirliu të zgjidhet në krye të bashkisë, ç’ka e bën bashkimin e opozitës një kusht tjetër të nevojshëm për fitoren e zgjedhjeve. Të kujtojmë që në vitin 2023, Erion Veliaj mori rreth 158 mijë vota. Duke llogaritur punën e strukturave të Veliajt për të marrë hak ndaj PS, pritet që PS të marrë diku tek 20 mijë vota më pak sesa në 2023-n, pra rreth 138 mijë vota. Nga ana tjetër, Partia Demokratike, e ndarë midis koalicionit Bashkë Fitojmë dhe Partisë Demokratike zyrtare, mori së bashku 122 mijë vota në vitin 2023. Pra, nëse supozojmë që PD tani është e bashkuar në raport me atë të 2023-it, PD e vetme dhe e bashkuar ka 122 mijë vota në Tiranë, pra 16 mijë vota më pak sesa kandidati i pushtetit. Kjo diferencë mund të shkojë në zero e pse jo të përmbyset nga votat e segmenteve gri të shoqërisë që do ishin më të hapur për të votuar një kandidat jopolitik, si dhe nga fakti që parti opozitare si Mundësia, PDIU apo PAA do mbështesin kandidatin e opozitës. Shqetësim mbetet ‘Lëvizja Bashkë’ e Arlind Qorit, e cila në 2023 mori rreth 13 mijë vota dhe që, bazuar në të dhënat nga zgjedhjet e 2025-s, mund të marrë deri në 25 mijë vota në 9 Nëntor, shifër që do e bënte fitoren e opozitës matematikisht të pamundur. Thënë kjo, logjika mbetet e njëjtë: kandidati politik merr vota vetëm nga PD, ndërkohë që kandidati apolitik merr edhe nga shoqëria civile e elektorati gri. Shto këtu dhe faktin që, pavarësisht rezultatit të 11 Majit, ka një lodhje të elektoratit gri me pushtetin e PS, një lodhje që mund ta bëjë këtë elektorat t’i japë një shans një kandidati që nuk vjen nga Saliu por nga fryma opozitare që gjithmonë josh elitat dhe shoqërinë civile. Të presim e të shohim.



