Inspektori i Lartë i Drejtësisë z.Artur Metani zhvilloi një vizitë pune në Londër në institucionet e drejtësisë, që merren me inspektimin dhe procesin disiplinor të magjistratëve dhe në Ministrinë e Jashtme britanike. Z.Metani u shoqërua nga një ekip i ILD-së dhe nga ambasadori i Shqipërisë në Mbretërinë e Bashkuar z. Uran Ferizi.
Në Inspektoratin e Shërbimit të Prokurorisë së Kurorës së Madhërisë së Tij, Inspektori i Lartë i Drejtësisë u mikprit nga Kryeinspektori z. Anthony Rogers.
Të dy bashkëbiseduesit u ndalën në ndarjen e praktikave të mira mes institucioneve dhe rolin që ka procesi i inspektimeve në efiçencën e sistemit të drejtësisë për promovimin e transparencës e paanësisë, në shërbim të besimit të publikut.
Më tej z. Metani dhe delegacioni që e shoqëronte zhvilluan sesione pune me ekipin e Inspektoratit britanik të Prokurorisë. Zëvendës Kryeinspektorja znj.Lisa Morris bëri prezantimin e Inspektoratin e Shërbimit të Prokurorisë së Kurorës. Procesi i inspektimeve, inspektimet tematike dhe inspektimet pasuese u paraqitën nga Inspektori i Lartë ligjor z. Colin Darroch dhe nga Inspektorja ligjore znj. Leanne Townsend.
Rekomandimet dhe impakti i inspektimeve u trajtua nga z.Rogers dhe znj.Morris, duke iu përgjigjur interesit të ekipit të ILD-së për aspekte të punës dhe krahasim me modelin e Shqipërisë.
Në takimin e zhvilluar në Zyrën e Hetimeve të Sjelljes Gjyqësore ekipi i ILD-së u njoh nga drejtuesi operativ z. Simon Parsons dhe shefja e çështjeve pranë kësaj zyre, znj. Kim Webb me të gjitha aspektet e punës mbi hetimin e sjelljeve të gjyqtarëve britanikë për llogari të Ministrit të Drejtësisë dhe Drejtueses së gjyqësorit në Mbretërinë e Bashkuar. Ngjashmëritë në procesin e hetimit disiplinor, llojet e shkeljeve disiplinore dhe masat ndëshkuese ndaj gjyqtarëve u trajtuan gjerësisht gjatë takimit nga Inspektori i Lartë i Drejtësisë z. Metani dhe z.Parson e znj. Webb nga Zyra e Hetimeve të Sjelljes Gjyqësore.
Pjesë e vizitës së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë në Londër ishte edhe një takim në Ministrinë e Jashtme britanike, me drejtoren për Ballkanin Perëndinor znj. Madeline Knox.