Prof. Taulanda Jupi
Përmasa e një kombi është pasuria e mendimit, kulturës dhe historisë, është tërësia e vlerave që përcaktojnë identitetin kombëtar.
Gjuha shqipe është indi që mban lidhur themelin e identitetit tonë kombëtar, por ruajtja, kultivimi, zhvillimi i saj është përcaktuar nga pasuria e mendimit, potenciali intektual, është përcaktuar nga kultura, tradita, besimi dhe vlerat mbi cilat kombi shqiptar ka ndërtuar ekzistencën e tij
Më 22 nëntor 1908, Kongresi i Manastirit vulosi një moment historik për shqiptarët: zyrtarizimin e alfabetit të gjuhës shqipe. Ky akt nuk ishte thjesht një vendim teknik për të unifikuar shkronjat, por një gur themeli për kulturën dhe identitetin kombëtar. Në kushtet e një kohe të trazuar, ky kongres i dha gjuhës shqipe statusin e një force unifikuese, një frymë bashkimi shpirtëror për një komb të etur për liri dhe pavarësi.
Gjuha shqipe nuk është vetëm mjeti ynë i komunikimit, por një depozitë shekullore e trashëgimisë kulturore, mendimit Përmes saj janë përcjellë këngët, legjendat, tregimet dhe kujtesa historike e një kombi që ka qëndruar krenar mes sfidave të historisë. Vendosja e një alfabeti të unifikuar në Kongresin e Manastirit ishte hap i domosdoshëm për zhvillimin e një letërsie dhe mendimi të pasur shqip, që do të ushqente shpirtin e kombit dhe do të afirmonte kulturën tonë në skenën botërore.
Sot, 116 vite pas Kongresit të Manastirit, sfidat për gjuhën shqipe kanë ndryshuar, por rëndësia e saj mbetet po aq e madhe. Në një botë globalizimi, ku ndikimet e huaja janë të pashmangshme, ruajtja e pastërtisë së shqipes dhe pasurimi i saj janë detyra kombëtare. Të ruajmë gjuhën shqipe do të thotë të ruajmë vetëdijen dhe të ardhmen tonë si komb.



