Një vit nga masakra e 7 Tetorit në Izrael. Më pranë apo më larg luftës së madhe?

spot_img
Advertisements


Nga Ruel Domi

Në historinë mijëravjecare të hebrenjve dhe popullit Izraelit, 7 Tetori do të mbahet mënd si një datë e zezë. Si sot 1 vit më parë, mijëra militantë të grupeve terroriste ‘Hamas’ dhe ‘Xhihadi Islamik Palestinez’, sulmuan Izraelin duke masakruar qindra civilë dhe oficerë të ‘Forcave të Mbrojtjes së Izraelit’. Bilanci përfundimtar ishte rreth 1,200 të vrarë, dhe mbi 250+ pengje që terroristët e Hamas i morën me vete në enklavën palestineze të Gazës, një pjesë e së cilëve mbahen edhe sot e kësaj dite peng. Sipas medias ndërkombëtare, më 7 Tetor Hamasi përdhunoi vajza dhe gra Izraelite, dogji për së gjalli civilë si dhe preu koka fëmijësh. Video të militantevë të Hamas tregojnë vrasjet makabre ndaj civilëve izraelitë në “Kibbutz-in” në jugun e Izraelit si dhe zvarritjen prej flokësh të grave Izraelite të marra peng në rrugët e Gazës. Këto krime monstruoze u shoqëruan me lëshimin e rreth 19,000 raketave nga Hamasi drejt shtetit hebre. Historianët kanë pohuar se masakra e 7 Tetorit përbën pogromin më të madh ndaj hebrenjve që nga Lufta e Dytë Botërore. Krimet monstruoze të Hamasit më 7 Tetor, u pasuan nga mbështetja unilaterale e botës Perëndimore për Izraelin dhe të drejtën e Izraelit për të mbrojtur veten dhe qytetarët e tij.
Nga ana tjetër, përgjigja Izraelite ndaj 7 Tetorit ka qenë brutale. Sipas Ministrisë së Shëndetësisë së Gazës dhe konfirmimeve nga organizatat ndërkombëtare, Izraeli ka vrarërreth 41,500 individë në Gaza, nga të cilët 6,000 janë gra dhe 11,000 jane femije. Gaza përballet me një krizë humanitarë të paprecedentë me shkatërrimin e ndërtesave dhe infrastukturës në masën 60%. 1.9 milionë Palestinezë janë zhvendosur dhe po jetojnë momentalisht në tenda. Në të njëjtën kohë, palestinezët e shtypur të Bregut Perëndimor përballen me sulme nga kolosët Izraelitë si dhe nga autoritetet Izraelite në Bregun Perëndimor. Momentalisht, udhëheqja izraelite po akuzohet për gjenocid nga Afrika e Jugut ne Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, si dhe i është nxjerrë mandati i arrestit nga kryeprokurori i Gjykatës Ndërkombëtare Kriminale. Gjatë kësaj lufte, Izraeli ka shënjëstruar dhe udhëheqjen e Hamas duke vrarë Mohammed Deif dhe Ismail Haniyeh, goditje të cilat Izraelin e kanë futur në një konflikt të drejtpërdrejtë me Iranin. Në Prill 2024, Irani sulmoi Izraelin me qindra raketa, shumica dërrmuese e së cilave u interceptuan nga aleatët arabë të Izraelit, si dhe nga SHBA dhe Britania e Madhe. Ky sulm u ripërsërit në Tetor të 2024, kur Republika Islamike e Iranit dërgoi rreth 200 raketa balistike drejt Izraelit, shumica dërrmuese e së cilëve u interceptuan nga sistemi i mbrojtjes raketor të Izraelit i quajtur “Iron Dome”. Si pasojë e kërcënimeve në veriun e vendit , Izraeli ka hapur një front lufte të ri, atë ndaj Hezbollahut në Liban. ‘Hezbollah’, e konsideruar një organizatë terroriste nga Izraeli dhe aleatët Perëndimorë të Izraelit, ka hedhur rreth 8,000 raketa drejt Izraelit që nga nisja e luftës në Gaza.

Konflikti Izraelito-Palestinez është i gjatë dhe kompleks, por lufta në Gaza ka shkaktuar debate të mëdha, sidomos në Perëndim. Protestat e studentëve në universitetet amerikane dhe europiane, e vecanërisht në shkollat elitare “Ivy League”, e kanë sjellë debatin për konfliktin Izraelito-Palestinez në tavolinat kryesore të rretheve intelektuale në Perëndim. Për të mbajtur njërën apo tjetrën anë në këtë konflikt, duhen bërë disa pyetje. Kush është fajtori për këtë konflikt? Izraeli dhe Perëndimi apo Irani dhe Palestinezët? A po kryen Izraeli gjenocid në Gaza? Dhe mbi të gjitha, si mund të dilet nga konflikti për të garantuar paqen afatgjatë në Lindjen e Mesme? T’i japësh përgjigje gjithë këtyre pyetjeve, kërkon qindra artikuj në dhjetëra vite, por do përpiqem që në këtë shkrim të krijoj një tablo të qartë për lexuesin.

Nuk ka dyshim që Hamasi është organizatë gjenocidale terroriste, objektivi i së cilës nuk është liria e popullit Palestinez por zhdukja e shtetit të Izraelit. Izraeli dhe aleatët Perëndimorë e kanë bërë të qartë që Hamasi është ‘proksi’ i Iranit duke përmëndur mbështetjen, trajnimin dhe financimin e Hamasit nga Teherani zyrtar. E njëjta gjë vlen për dy grupet e tjera terroriste me të cilat Izraeli është në luftë të hapur: Hezbollahu në Liban dhe ‘Houthi’ në Yemen. Që nga largimi i Izraelitëve nga Gaza në vitin 2005, fitorja e zgjedhjeve parlamentare Palestineze në 2006 dhe triumfi ndaj Fatah në luftën civile Palestineze të vitit 2007, Hamasi ka qenë e keqja e popullit palestinez të Gazës. Gjatë 19 viteve të Gazës së drejtuar nga Hamas, është vëndosur një diktaturë islamike dhe shtypëse ndaj popullsisë së Gazës dhe vecanërisht ndajgrave. Për shkak të raketave të hedhura ndaj Izraelit, Hamasi dhe Izraeli kanë vajtur në luftë 4 herë në 2 dekadat e fundit, me pasoja katastrofike për popullsinë e Rripit të Gazës. Sipas hetimeve të organizatave ndërkombëtare, Hamasi ka abuzuar me fondet e Kombeve të Bashkuara, duke përdorur qindra miliona dollarë të destinuara për shkolla, spitale dhe rrugë për raketa, tunele dhe armatime në luftën e organizatës ndaj Izraelit. Në të njëjtën kohë, analiza të pavarura kanë arritur në përfundimin që numri i lartë i civilëve të vrarë në Gaza nuk është pasojë e një qëllimi izraelit për zhdukjen e popullsisë së Gazës, por pasojë e përdorimit të popullsisë civile të Gazës si mburojë për terroristët e Hamasit si dhe infiltrimit të infrastukturës ushtarake të Hamas në zonat civile në Gaza.

Është e rëndësishme të kuptohet që ekzistenca e Hamas nuk ka ardhur si pasojë e një vakumi gjeopolitik por për shkak të pushtimit izraelit të territoreve Palestineze mbas luftës “6 ditore” të 1967-s. Që nga viti 1967, Izraeli mban të pushtuar Bregun Perëndimor dhe që nga viti 2005 ka vendosur Gazën në një bllokadë të egër, që ka shkaktuar varfëri dhë radikalizim. Organizata të mirënjohura ndërkombëtare si ‘Amnesty Intërnational’ dhe ‘Human Rights Watch’, e konsiderojnë pushtimin izraelit të Bregut Perëndimor si aparteid, duke ju referuar rregjimit racist të Europianëve të bardhë ndaj Afrikanëve vendas në Afrikën e Jugut. Po këto dy organizata, e konsiderojnë bllokadën ndaj Gazës një formë e burgosjes kolektive e Palestinezëve, dhe për këtë arsye Gaza konsiderohet burgu i vetëm i hapur në histori. Sigurisht ky realitet nuk justifikon Hamasin dhe aktet e tij, por duhet të jetë sinjal për udhëheqjen Izraelite që nga ana e saj duhet të ndalojë pushtimin e Bregut Perëndimor dhe Lartësive të Golanit, të heqë bllokadën ndaj Gazës si dhe të punojë me Autoritetin Palestinez, aleatët sunni të Izraelit dhe me Perëndimin për formimin e shtetit të pavarur e sovran Palestinez.

Pyetja që lind është: Si arrihet paqja në Lindjen e Mesme? Kam qenë gjithnjë i bindjes së një zgjidhje me dy shtete pa Hamasin si qeveria e Palestinezëve, është garantor afatgjatë i sigurisë së Izraelit si dhe përmbushës i aspiratës së Palestinezëve për një shtet të pavarur. Marrëveshjet e paqjes në Lindjen e Mesme kanë funksionuar. Në vitin 1978, Izraeli dhe Egjipti nënshkruan akordin e ‘Kampit David’ që i dha fund konfliktit midis Izraelit dhe Egjiptit. Në vitin 1993, i ashtëquajturi akordi i Oslos, hapi siparin e një paqeje midis Izraelit dhe Palestinezëve duke krijuar autoritetin Palestinez që sot qeveris pjesë të Bregut Perëndimor. Në vitin 2020, Presidenti Trump organizoi akordet e Abrahamit, që zyrtarizoi paqjen midis Izraelit dhe tre shteteve arabe: Bahreinit, Emirateve të Bashkuara Arabe dhe Marokut. Para 7 Tetorit, Izraeli ishte shumë pranë një marrëveshjeje historike me Arabinë Saudite, marrëveshje e cila u ndërpre nga sulmi i Hamasit dhe ofensiva Izraelite në Gaza.

Është e konfirmuar që Izraeli e ka shkatërruar Hamasin në Gaza dhe stacionimi i trupave Izraelite në Gaza thjesht sa radikalizon dhe më shumë popullsinë Palestineze. Në të njëjtën kohë, edhe pse Hezbollahu duhet shkatërruar si organizatë, pushtimi i Libanit thjesht sa vështirëson paqen dhe radikalizon popujt arabë kundër Izraelit. Vlen të thuhet që lufta në Gaza dhe Liban duhet mbyllur me Izraelin që duhet te kerkojë kthimin e pengjeve te mbajtura nga Hamas, deradikalizimin dhe demilitarizimin e Gazes si dhe duhet të kryeje manovra te limituara ushtarake qe targetojnë vetem Hezbollahun dhe jo popullsinë civile libaneze. Në të njëjtën kohë, bota Perëndimore duhet t’i bëjë të qartë Iranit se mbështetja e grupeve terroriste do të dënohet me sanksione ekonomike dhe politike. Rregjimi iranian është kërcënim për Lindjen e Mesme dhe për vetë popullin iranian.

Elementi i fundit që dua të trajtoj në këtë analizë është pozicionimi i Shqipërisë në tërë këtë meselé gjeopolitike. Vazhdoj t’i qëndroj mendimit se Izraeli është aleat i Shqipërisë dhe shqiptarëve dhe si i tillë, Shqipëria duhet të pozicionohet në krahun e Izraelit. Vlen të kujtohet se Shqipëria ishte i vetmi vënd me numër më të lartë hebrenjsh mbas Luftës së Dytë Botërorë së përpara fillimit të saj. Nga ana tjetër, gjatë spastrimit etnik serb ndaj shqiptarëve të Kosovës në 1999, Kryeministri Netanyahu, i bëri thirrje botës të hidhte sytë nga Kosova duke krahasuar spastrimin etnik serb ndaj shqiptarëve më Holokaustin nazist ndaj hebrenjve. Në të njëjtën kohë, Shqipëria dhe Izraeli ndajnë një armik të përbashkët dhe ai është Irani. Të mos harrojmë së përvec luftës frontale ndaj Izraelit, Republika Islamike e Iranit sulmoi serverat e Shqipërisë në 2022 si përgjigje ndaj strehimit të muxhahedinëve të MEK që rregjimi i Teheranit i konsideron terroristë. Vlen të thuhet që si aleat i Perëndimit, Shqipëria duhet të mbështesë Izraelin. Nga ana tjetër, si një mik i mirë i Izraelit, Shqipëria duhet të përmendë të vërtetën e plotë, e cila përfshin edhe shtypjen dhe vuajtjet e popullit Palestinez që duhet të konkretizohen me një shtet të pavarur dhe sovran te Palëstines.

Lindja e Mesme ka mundësi të lulëzojë dhe prosperojë. Rruga drejt paqjes kalon nga një Izrael i sigurtë nga Irani dhe grupet terroriste që Irani mbështet dhe financon, si dhe nga një shtet Palestinez sovran, i pavarur dhe demokratik. Si aleat i Izraelit, Shqipëria duhet të mbështesë zgjidhjen me dy shtete. Vetëm me paqe ecet përpara! Lutemi për paqje!

Latest articles

Related articles