Arrestohen 3 gjermanë për spiunazh në favor të Kinës

Tre gjermanë janë arrestuar pas dyshimeve se kanë spiunuar për shërbimin sekret kinez, thanë sot prokurorët federalë.

“Dy burra dhe një grua u arrestuan sot në qytetet gjermane perëndimore të Duseldorfit dhe Bad Homburg”, tha Prokurori i Përgjithshëm Publik Federal.

Ata dyshohet se kanë punuar për shërbimin sekret kinez që nga qershori i vitit 2022 dhe se kanë shkelur Aktin e Tregtisë së Jashtme dhe të Pagesave në këtë kontekst.

Çështja ka të bëjë me transferimin e informacionit mbi teknologjinë ushtarake tek shërbimi sekret kinez.

“Gjatë kohës kur u arrestuan, të dyshuarit ishin në negociata për projekte kërkimore që mund të ishin të dobishme për zgjerimin e fuqisë luftarake detare të Kinës në veçanti”, sipas prokurorëve.

Gjithashtu, autoritetet kanë kryer kontrolle në shtëpitë dhe vendet e punës të të dyshuarve.

Latest articles

Related articles