Kur jetojshem n’Tiranë vrejsha nji dukuni të spikatun, që ka të bajë me diznivelin, dhe me luftën tonë shekullore si shqiptarë me e mbajtë operativ. Asokohe merresha shum me përkthime, dhe përkthimet e mia kryesisht nuk pranoheshin për botim, ose mbaheshin shum gjatë në bodrum. Zakonisht përkthimet e autorëve të randësishëm iu porositeshin hallexhijve që s’ia kishin idenë, dhe mbasi i masakronin ata përkundrejt shpërblimit, duhej t’i korrigjoja un falas. Aty mandej kuptohet pse shqiptarët detyrohen me u ba vagabonda dhe gangstera, dhe me i korrigjue poshtërsinat me poshtërsi edhe ma t’madhe.
Sidokjoftë, meqë jemi në nji kohë të etimologjizmit pa shtab, duhet nda motivimi etimologjik me përdhuni për hir të djathit lokal, nga përbasi realisht universal i gjuhës shqipe.
Kultura asht forma koloniale e të kenit, nuk vjen kush me të kultivue, por me të kolonizue. A ju kujtohet ai afrikani që tregonte si u ungjillizuen zezakët ndër shekuj: fillimisht ne kishim tokat ata kishin fjalën e shejtë, mandej ata kishin tokat, ne kishim fjalën e shejtë. Kaq asht kjo punë.
Disa shprehje janë marrë shabllon. Tue kenë italianist i thekun, un i vrej n’sekond ndikimet e llagapet çizmike n’shqipe.
Pra mos u harbisni kur shprehja rromapërtoma që duket gegnishte e pastër dalipjane, vjen nga Roma per toma. Dhe tutkalli vjen nga tutta-colla, se ngjitte gjithçka. Në shkodranisht mandej rastet krijojnë trend: filispanjë (fil-di-spagna); buxhingla (bugie) etj. Janë huazime elegante dhe koha veç ua shton hijeshinë.
Dekolonizimi i shqipes nuk bahet me marrina përkthimore, alla Nik Spahiu, që propozon me e përkthye Velipojën Fushëmadhe, por bahet me lëvrimin madhor të shqipes, me nji universitet të madh pan-shqiptar, ku të derdhen të gjitha energjitë krijuese të trojeve vetë-kufizuese, dhe prej kah ka me dalë në dritë edhe kryehera jonë, pra periudha kur ne ishim kolonët e parë të Europit, që pamvarësisht tejshkrimit grek atik, në fakt vjen prej err dhe jo prej eur, ngase ishte vendi kah erret, Abendlandi jonë.
Nuk asht pra nevoja me e arnue historinë, por me i qepë simbolet aty ku ishin, si toteme të nji primje drejt njohjes së vetvedit, cak dhe sinor i çdo njohje.